Protesta e së shtunës i parapriu festës së Ditës së Verës, të shtyrë nga Bashkia e Tiranës më 17 Mars për shkak të motit të keq.
Pllaka të shkulura, kosha në flakë dhe mbeturina të hedhura ngado ishte pamja që la pas protesta e opozitës ditën e sotme.
Si në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë ashtu edhe tek parlamentit, mbeturinat dhe bidonët e ujit ishin hedhur kudo në rrugë, ndërkohë që nuk mungonin dhe pankartat me slogane politike të hedhura ngado nëpër shesh.
Situata më e rëndësuar është tek godina e parlamentit, ku protestuesit e dhunshëm shkulën edhe pllakat dekorative të pedonales duke i hedhur në drejtim të policisë, ndërkohë që u shkulën edhe tabelat e sinjalistikës. Dëmtime pati edhe në shtyllat e ndriçimit, në rrethimin e jashtëm të parlamentit si dhe në lulishtet përreth.
Përmes një postimi në twitter, ka reaguar edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit sot ndaj hapësirës publike, ndërsa ka siguruar qytetarët se çdo gjë do të riparohet në kohë rekord që të jetë gati për festimet e nesërme për Ditën e Verës. “Tirana nuk i përulet dhunës! Kurrë! Çdo gjë xixë për nesër. Tirana nuk ndalet. Unë nuk e di si i mbani qytetet prej nga vini çdo muaj për ekskursion dhune, por Tirana jonë kurohet me shumë mund e nuk e pranon këtë lloj bullizmi primitiv. Do pastrohet e meremtohet në kohë rekord sot, që nesër të jetë gati për Ditën e Verës e për gjithë qytetarët e vërtetë”, theksoi Veliaj. Në fakt, menjëherë ka nisur puna nga ndërmarrja e pastrimit të qytetit për pastrimin e mbeturinave që lanë pas protestuesit dhe rregullimin e dëmeve.
Si për ironi të fatit, me largimin e kreut të PD nga protesta para kryeministrisë, dhe zhvendosjen e saj para Parlamentit, protestuesit zgjodhën të pushojnë në lulishten pranë Kryeministrisë, tek Piramida, duke shijuar edhe temperaturat e larta që shoqëruan këtë të shtunë të 16 marsit.
Top Channel