Kundër të gjithë klasës politike dhe shoqërisë civile protestoi i vetëm Dilaver Nelaj.

“Këtu përpara janë vrarë 4 veta dhe mbi atë gjak kalojnë këta e prishin kryeministrinë. Shqipëria ka mbetur në udhëkryq”, tha ai.

55 vjeçari nuk mbeti jashtë syve të protestuesve opozitarë, të cilët pas sulmit e detyruan të largohej.

Në protestën e 16 marsit njerëzit kanë zgjedhur të përfaqësohen jo me fytyrat e tyre, por me letra ku tregojnë qytetet prej nga vijnë .
Të veshur me mesazhe pakënaqësie, shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

“Diktaturë solle ti për këtë periudhë, po qajnë nënat tona sepse fëmijët kanë ik’ në Gjermani. Bashkohuni me ne që ta heqim këtë të keqe.”

“Me qeleshe vijmë protestojmë këtu, se me origjinë nga Tropoja. S’kemi bukë të hamë, s’kemi asgjë”.

Flamuri i lidhur me pranga, shpreh mbështetjen ndaj protestuesve të 16 shkurtit që ende qëndrojnë pas hekurave.

“Dal e nuk kam frikë nga prangat”, thotë ai.

Dhe britma e një babai përballë policëve, që mban në lëkurë çdo ditë dhimbjen e humbjes së të birit.

“Fëmijën tim po tregoj, shpirtin tim. Mu ma morën shpirtin, po zemrën jo. Pse ma vranë këta?”

Ndërsa Bledari është jetim. Lulet që janë e përditshmja e tij, 36 vjeçari i zhvendos sot në oborrin e protestës.

“Nuk jam me asnjë parti se s’më shkon mend, të gjithë për karrigen e tyre janë. Jam për të drejtat e mia”, u shpreh Bledar Lulo.

I pamundur për të lëvizur ishte Shabani, por kjo se ka penguar të bëhet pjesë e protestës. Një thirrje e ka për shqiptarët që s’i janë bashkuar.

“Atij që i ka mbetur gjak shqiptari duhet të dal në protestë. Edhe sikur sakat të jem do dal, jo më me një këmbë”, tha ai.

E të tjerë protestues nga rrethet kishin marr ushqim me vete, në bazë të paralajmërimit se qëndresa do të zgjaste 48 orë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel