Italia do të miratojë një dekret në ditët e ardhshme për të rinovuar një skemë të garantuar nga shteti, të dizajnuar për të ndihmuar bankat të shkarkojnë huatë e këqija, thanë të mërkurën dy burime të afërta me çështjen për Reuters.
Burimet thanë se dekreti i emergjencës do të miratohet mes fundjavës dhe të martës së ardhshme. Ripërtëritja e skemës është e rëndësishme për bankat e vendit, që ende mbajnë 100 miliardë euro (113,05 miliardë dollarë) në borxhe të këqija.
Skema, e njohur si GACS, u prezantua për herë të parë në 2016-ën, por skadoi në formën e saj aktuale më 6 mars. Kjo lejon bankat të blejnë një garanci nga shteti për disa kredi të këqija që janë duke u shitur.
“GACS i ri do të ketë një kohëzgjatje prej dy vjetësh”, tha një nga burimet, duke folur në kushtet e anonimitetit. Ajo do të vazhdojë të mbulojë huatë e këqija, por planet për të zgjeruar skemën e kredive “me gjasë të pagueshme”, nuk do të përfshihen.
Italia ka arritur një marrëveshje me Komisionin Evropian, për të nisur skemën e re të garancisë, një kërkesë për të shmangur skemën që klasifikohet si ndihmë shtetërore.
Burimet thanë se skema e re e garancisë do të kushtonte më shumë se ajo e mëparshme, për shkak të rritjes së spread-it të yield-eve të bonove dhe paqëndrueshmërisë së tregut.
Sipas burimeve, qeveria do të përfshijë skemën e re të GACS në një dekret për masat për të siguruar funksionimin e qetë të tregjeve në rast të një Brexit pa marrëveshje.
Këto masa kanë për qëllim të sqarojnë rregullat për operatorët e tregut në rast se Britania e lë Bashkimin Evropian më 29 mars pa një marrëveshje. Dekreti do të përfshijë gjithashtu madhësinë e kontributit të Italisë në rritjen e ardhshme të kapitalit të Bankës Evropiane të Investimeve.
Top Channel