Bota e futbollit në Kolumbi po vuan disa skandale seksuale radhazi, që kanë tërhequr vëmendjen më shumë sesa rezultatet e këtij vendi në arenën ndërkombëtare.
Një çështje kontroverse ka shpërthyer këtë javë mes arbitrave. Nën akuzë ka përfunduar ai që cilësohet “bilbili” më i mirë i Amerikës së Jugut, e një prej gjyqtarëve më të vlerësuar globalisht nga FIFA, Oscar Julian Ruiz.
Ky i fundit akuzohet nga disa kolegë në vendin latin për ngacmime seksuale dhe presione për të marrë favore. Harold Perilla e Carlos Chavez janë vetëshpallur viktima të vëmendjes së veçantë, nga ana e arbitrit më të famshëm në futbollin kolumbian.
“Më ngacmonte vazhdimisht që prej vitit 2007 dhe deri në momentin që vendosa të lë këtë sport. Ruiz thoshte se mund të më çonte larg në karrierë, pasi kishte shumë fuqi dhe mund të vendoste se cilët arbitra do të përfaqësonin vendin në turne të mëdhenj”, tha Harold Perilla, arbitër futbolli.
Në Kolumbi, kohët e fundit ka ndodhur thuajse gjithçka, që ka larguar vëmendjen nga fusha e futbollit. Ka pasur akuza të rënda për ngacmime seksuale dhe përdhunime edhe në kombëtaren e futbollit të femrave, si dhe në atë të 17-vjeçareve.
Por, skandali më i fundit ka bërë bujë. Oscar Ruiz, arbitri që ka drejtuar më shumë ndeshje se çdokush tjetër në Kupën Libertadores, plot 106 të tilla, detyrohet tani të shfajësojë veten nga akuzat e rënda të kolegëve, dhe përpara të rinjve që aspirojnë të bëhen gjyqtarë futbolli.
Top Channel