Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin sanksione shtesë shumë të rëndësishme kundër institucioneve financiare mbi situatën në Venezuelë në ditët në vijim, tha të martën, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, Elliott Abrams.
Ky i fundit nuk ka elaboruar mbi masat e reja. Të hënën, Departamenti i Thesarit i SHBA-ve vendosi sanksione mbi bankën ruse Evrofinance Mosnarbank, pasi akuzoi se po ndihmonte kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA, të shmangë kufizimet financiare të aplikuara nga SHBA.
Uashingtoni ka marrë rolin udhëheqës në njohjen e kreut të opozitës Juan Guaido si presidenti i ligjshëm i Venezuelës, pasi shefi 35-vjeçar i Kongresit deklaroi rizgjedhjen e presidentit Nicolas Maduro në 2018 si një mashtrim dhe njoftoi një presidencë të përkohshme në janar.
Shumica e vendeve në Evropë dhe në Amerikën Latine kanë ndjekur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke njohur pikërisht Guaidon si president të Venezuelës, ndërsa disa u janë bashkuar edhe sanksioneve amerikane.
Abrams gjithashtu u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se Uashingtoni është në bisedime me vendet e tjera rreth aranzhimeve të sigurisë për ambasadën e SHBA në Venezuelë, pasi vendosi të tërheqë diplomatët e mbetur. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se qeveria e Maduro mund të mbrojë ambasadën.
Top Channel