Nisma e re e bashkisë së Tiranës/ Një pemë për të përkujtuar të afërmit që nuk jetojnë më

13/03/2019 14:57

Për të përkujtuar të afërmit e tyre, qytetarët e Tiranës zgjedhin që të mbjellin një pemë, për të cilën do të kujdesen në vazhdimësi. Nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit, iu bashkua sot edhe anëtari i Këshillit Bashkiak Genc Duka, i cili për të përkujtuar babain e tij që nuk jeton më, ka vendosur të mbjellë 14 pemë, një pemë për çdo pjesëtar të familjes së tij dhe një për Ditën e Verës.

“Jam sot me vëllain tim, Genc Dukën, që është jo vetëm qytetar shembullor, por edhe një nga këshilltarët më të devotshëm të Këshillit Bashkiak. Ka disa njerëz që mendojnë se detyra mbaron kur pjesa formale dhe burokratike është kryer, pra kur mbarojnë vendimet e Këshillit Bashkiak. Por, një këshilltar i mirë dhe një qytetar i mirë është kur vepron si Genci, që e sheh detyrën e një këshilltari bashkiak në çdo cep të jetës së tij. Kështu, jemi sot me të për të kujtuar babain e tij të shtrenjtë; më vjen shumë mirë që ka gjetur një mënyrë shumë dinjitoze për ta kujtuar”, deklaroi Veliaj.

Mbjellja e një peme për të përkujtuar të afërmit është kthyer në tendencë vitet e fundit. “Ka njerëz që investohen në varre milionëshe, në mermer, në llaç, në tulla, në gardhe, në shtesa qoftë edhe në Tufinë, edhe në Sharrë. Ka disa njerëz të tjerë që e bëjnë me dinjitet, e kujtojnë të dashurin e tyre, të afërmin e tyre duke mbjellë një pemë, që do të jetojë në përjetësi, një pemë që do të jetë këtu për nipëra dhe për mbesa, që do ju kujtojë gjyshin e tyre, por mbi të gjitha do t’u kujtojë atyre që të gjithë kemi hedhur rrënjë në këtë qytet”, u shpreh Veliaj.

Po sot, në Parkun e Madh të Liqenit u mbollën edhe disa pemë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kishin vendosur që për ditëlindjen e fëmijëve të tyre të kontribuojnë për gjelbërimin e qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA