Një nga 7 deputetët e rinj që u betuan paraditen e së mërkurës në Kuvend ishte edhe Alban Zeneli, i cili vjen nga radhët e partisë Demokratike.

Por Alban Zeneli renditet tek ata kandidatë në listën e PD që ndryshuan mendje, pasi ai kishte firmosur lënien e mandatit në bllok të kërkuar nga PD. Madje në protestën e 5 Marsit, ai ka marrë fjalën duke deklaruar se djeg publikisht mandatin.

Por çfarë e bëri deputetin Zeneli të ndërrojë mendje?! I pyetur pasi doli nga salla e Kuvendit, ku edhe u betua, Zeneli u përgjigj:

“Më 5 mars kam thënë që qeveria Rama duhet të ikë një orë e më përpara. Nuk i heq asnjë presje atij mendimi. Kam thënë që mandati nuk është i imi dhe as i zotit Noka, por i qytetarëve. Prap nuk kam ndryshuar mendim. Mandati është i qytetarëve që më kanë votuar edhe mua dhe zotin Noka. I vetmi ndryshim është se unë mendoj se: Interesat e qytetarëve që na kanë votuar, unë si Alban mund t’i mbroj më mirë brenda Parlamentit shqiptar me statusin e Parlamentit, sesa në rrugë. Jetojmë në një sistem tjetër, ku shqyqyr Zotit duhet të kemi mendim ndryshe. E para ne jemi njerëz, shyqyr që jemi njerëz dhe ndryshojmë. Jam konsultuar me miqtë e mi dhe votuesit e mi. Gjicin nuk e kam konstatuar në asnjë rast”, u shpreh ai.

Top Channel