17 ditë përpara datës së largimit, Britania gjendet mbi shkëmbin “Brexit” gati për t’u rrëzuar në një humnerë të panjohur ekonomike dhe politike.

Si pala pro, ashtu edhe ajo kundër Brexit-it, e refuzuan sërish marrëveshjen e rishikuar, edhe pse me argumente të ndryshme. Votuesit, partitë, parlamenti, qeveria: të gjithë janë të ndarë. Vendi është në krizë. Në një analizë të Deutsche Welle thuhet se ndër pasojat e shokut të shkaktuar nga Brexit-i, nuk përjashtohet edhe shpërbërja e Mbretërisë së Bashkuar që përbëhet nga Skocia, Uellsi, Anglia dhe Irlanda e Veriut.

Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje t’u ofronte britanikëve një itinerar më të përshkueshëm dhe ky është dështim për kontinentin dhe Brukselin.  Dëmi që vjen nga Brexit-i i parregulluar është i madh edhe për BE-në. Sepse tani do të kemi të bëjmë me një shkëputje të rrufeshme të forcës së dytë ekonomike nga tregu i brendshëm i BE-së. Britania e Madhe dhe BE-ja po vrapojnë drejt një kurthi të ngritur vetë, por fare të panevojshëm.  Ëndrra e nacionalistëve që dëshironin Brexit-in se Mbretëria e Bashkuar do të çlirohej nga prangat kryeneçe të BE-së për të rifituar shkëlqimin e vjetër imperial do të avullojë shpejt.

Në një botë të globalizuar, një vend me sipërfaqen e Mbretërisë së Bashkuar mund të arrijë e vetme shumë pak, edhe pse britanikët mund të kenë armë bërthamore dhe një ulëse në Këshillin e Sigurimit. Edhe 17 ditë kanë mbetur për të shmangur më të keqen. Sot dhe nesër, Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë se a duhet guxuar një  Brexit-i i lirë dhe kësisoj një rënie e lirë  apo do të kërkojnë së paku që të zgjasin negociatat e Brexit-it edhe për disa javë. Mënyra më e mirë për të dalë nga ngërçi, megjithatë, do të ishte një hap që do të kërkonte guxim të madh nga Kryeministrja këmbëngulëse.

Theresa May do të duhej të kërkonte anulimin e tërheqjes së saj nga BE-ja, në përputhje me nenin 50, dhe më pas të jepte dorëheqjen. Dhe kështu ajo do t’ia linte në dorë kryeministrit ose kryeministres së ardhshme që të merreshin me qetësi edhe një herë me dosjen Brexit, kur britanikët ta kenë të qartë se çfarë duan në të vërtetë. Do të evitohej dëmi ekonomik dhe zonja May do ta kishte të sigurt një vend në librat e historisë, edhe pse ndryshe nga ç’e kishte dashur ajo vetë.

Kryeministrja ka folur edhe vetë njëherë për këtë opsion në një fjalim në parlament. Ajo e ka kuptuar se ka dështuar sepse nuk e ka realizuar atë që kishte premtuar. Por kjo ndoshta nuk do të ndodhë. Gjasat më të mëdha janë që kryeministrja britanike të vijojë në post e të kërkojë prej BE-së zgjatjen e afatit të negociatave. Por me çfarë argumenti? Kjo dramë nuk mund të zgjatet pafundësisht. I mundshëm është edhe një referendum i dytë.

Por cila pyetje do të shtrohet aty për miratim? BE-ja në fund do ta miratojë zgjatjen, sepse askush nuk duhet të ketë mundësi të thotë se Brukseli thjesht e hoqi prizën pa u shqetësuar për kaosin e parashikuar në ishujt britanikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA