“Brexit”, sot votohet për shkëputjen “pa marrëveshje” të Britanisë nga BE

13/03/2019 09:46

Kryeministren britanike Theresa May e pret sot një betejë e re në Parlament në lidhje me të ardhmen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Pas disfatës së planit të saj, me një diferencë prej 149 votash, sot në orën 20, ligjvënësit britanikë do të votojnë nëse do ta bllokojnë daljen e vendit pa një marrëveshje nga BE-ja, më 29 mars.

  “Brexit”, May refuzohet sërish. Të mërkurën votohet për shkëputje “pa marrëveshje”

Por, ky votim vlen vetëm për 29 marsin dhe nuk përjashton daljen pa marrëveshje më tej gjatë vitit, nëse Parlameti nuk arrin të bjerë dakord për hapat e mëtejshëm.

Duke deklaruar votën e saj kundër daljes pa plan, May tha se ka ende shpresa për të përfituar një marrëveshje të mirë. Ajo u përgjigjej akuzave të kreut laburist, Jeremy Corbyn, i cili tha se May ka dështuar. Një ditë më herët madje, ai tha se zgjidhja ishin zgjedhjet e reja.

Nëse edhe votimi i dytë dështon sot, atëherë pritet të ketë një votim të tretë brenda javës, ku do të kërkohet kohë nga Bashkimi Europian për të shtyrë daljen prej tij.

Reagimet në Europë njëzëri flasin sot për dëmin që vjen nga një dalje e çrregullt e Britanisë së Madhe nga BE. Negociatori i BE-së për “Brexit”, Michel Barnier tha se kanë bërë të pamundurën deri tani, por këtej e tutje kriza zgjidhet vetëm në Britaninë e Madhe. “Ne po bëhemi gati për një dalje pa plan”, shkruan Barnier në rrjetet sociale.

Top Channel