“Ti je një luledielli”, Kampion i Bashkëpunimit Rajonal. Vlerësimi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal

13/03/2019 12:03

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka zgjedhur fondacionin “Ti je një luledielli”, si Kampionin e Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore për vitin 2018.

Çmimi do t’i dorëzohet drejtueses së fondacionit “Ti je një luledielli”, Albana Osmanit, nga një tjetër shqiptare, nga Majlinda Bregu, e cila mban edhe detyrën e sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, prej fillimit të këtij viti.

Çmimi do të dorëzohet në një aktivitet që do të zhvillohet këtë të mërkurë në Sarajevë të Bosnjë-Herzegovinës, për 11 vjetorin e themelimit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

“Ti je një luledielli”, është një organizatë jofitimprurëse, humanitare e bazuar në Tiranë, që vepron në rajon. Ajo synon të ndihmojë fëmijët në nevojë, veçanërisht ato që trajtohen për sëmundje të rënda, duke u ofruar atyre ndihmën e nevojshme dhe përmirësimin e kushteve të kujdesit të tyre.

Organizata deri më tani ka mbyllur me sukses tre fushata humanitare në tre shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe së shpejti nis fushata Ballkanike me stacion të parë Bosnjë-Herzegovinës dhe Malin e Zi. Ndërkohë në Shqipëri po e çojnë përpara dy fushata të tjera për Spitalet Rajonale të Kukësit dhe Elbasanit.

Top Media ka qenë dhe mbetet mbështetje e madhe në çdo fushatë humanitare. Së fundmi Fondacioni “Dritan Hoxha” po mbështet kauzën e ngritur për fëmijët, fondi po mblidhet nga shkarkimi i Lojës -App Game You are a Sunflower.

Fondacioni “Ti je një luledielli” prej një viti është zyrtarisht i regjitruar në SHBA si “You are a Sunflower Foundation INC. Public Nonprofit”.

Çmimi i Kampionit të Bashkëpunimit Rajonal është njohja e një individi ose institucioni që RCC dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj konsiderojnë se kanë kontribuar më së shumti në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore gjatë vitit të kaluar.

Një çmim, i cili jepet prej vitit 2013 me rastin e përvjetorit të pestë të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Top Channel