Këshilli i Europës ka hartuar një raport me nota të forta kritike për kompanitë që masin audiencën televizive në Shqipëri.
Studimi, i kryer nga një prej ekspertëve më të njohur në botë të kësaj fushe, ka dalë në përfundimin se dy kompanitë që masin audiencën televizive në Shqipëri, “Abacus” dhe “Telemetrix” përdorin sisteme me kufizime të mëdha dhe nxjerrin të dhëna me besueshmëri të ulët.
Me kërkesë të AMA-s, Këshilli i Europës caktoi një ekspert që bëri verifikime në terren. Ivor Millman ishte te të dyja kompanitë që pretendojnë se masin audiencën në Shqipëri.
“Takimi im me ‘Telemetrix’ tregoi një sistem me kufizime të konsiderueshme, panel relativisht i vogël (rreth 375 shtëpi); i kufizuar në mbulim gjeografik, matje e televizorëve, por jo njerëzve; matje përgjithësisht e vetëm një televizori në çdo familje, si dhe pikëpyetje në lidhje me çështje teknike. Nga takimi me ‘Abacus’ pashë një sistem, i cili gjithashtu kishte kufizime të konsiderueshme”, thotë Ivor Millman në raport.
Por, përveç mangësive të mëdha teknike, raporti i Këshillit të Europës thotë se ka dyshime se, të dy kompanitë e matjes së audiencës në Shqipëri mund të manipulojnë qëllimisht të dhënat kundrejt pagesave.
“Si rast më negativ u la të nënkuptohej se transmetuesit mund të paguajnë për numra më të mirë dhe se numrat mund të sajohen”, shtoi më tej autori i raportit.
Për këtë arsye, raporti vëren se matjet e audiencës nga këto dy kompani janë tërësisht të pabesueshme.
“Sa më treguan dhe sa kisha lexuar mund të përforcohej vetëm përmes diferencave të ndjeshme në shifrat që dilnin shpesh nga organizatat e matjeve, diferenca që janë ndoshta më të mëdha sesa mund të shpjegohen me çfarëdolloj diference në metodologji dhe në marzhet statistikore të besimit. Fakti është që ka mosbesim te shifrat që dalin nga të dyja këto organizata matjesh, e madje edhe mosbesim ndaj vërtetësisë së metodologjive që ato pretendojnë se përdorin”, thuhet në raportin e Këshillit të Europës.
Një ditë më parë, “Fiks Fare” publikoi një hulumtim të plotë që tregoi se dy kompanitë nuk kanë asnjë investim në teknologji që mundëson matjen e audiencës, si dhe kanë konflikte të drejtpërdrejta interesi, pasi drejtuesit e tyre punojnë në shoqëri marketingu.
Kompani “fantazmë”, të pakontrolluara nga shteti, masin audiencën e TV-ve që xhirojnë miliona euro
Raporti i përpiluar nga eksperti i Këshillit të Europës del në përfundimin se matja e audiencës televizive është e domosdoshme, por aktualisht ky proces në Shqipëri është tërësisht i pabesueshëm dhe duhet të ndryshojë.
Top Channel