Historia e përplasjeve për pronësinë e shtëpisë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” është pasqyra e dhimbshme se çfarë është bërë me kthimin e pronave në Shqipëri këto 27 vite, ku janë përfshirë agjenci qeveritare, gjykata dhe noterë.
Luan Llapaj, një prej banorëve që jeton aty prej 65 vitesh dhe që u përplas me policinë, tregon dokumentet e privatizimit të shtëpive nga Enti Kombëtar i Banesave që në vitin 1993.
Ndërkohë, dy vite më vonë, në 1995-n, në bazë të disa dokumenteve të vitit 1936, Komisioni i Kthimit të Pronave i njeh pronësinë familjes Gavoci, mbi një sipërfaqje prej rreth 10 mijë metrash katrorë, ku përfshihet ndërtimi në fjalë, por pronësia e banesave nuk preket.
Përplasjet mes palëve kanë nisur pas dy vitesh, në 1997-n, kur pronari i truallit ka kërkuar marrjen e sipërfaqeve të lira, siç ishin oborret, ndërkohë që deri në ato momente nuk ka pasur certifikatë pronësie.
Ndërkohë, në vitin 2001 ka nisur kalvari i gjyqeve mes banorëve dhe pronarëve. Zonja Fatime Dervishi, banore e ndërtesës, thotë se përfudimi i gjyqeve dihet në Shqipëri.
Gjykata vendos që oborret t’i kalojnë pronarëve, e pikërisht për përdorimin e oborreve, banorëve iu është vendosur që duhet të dëmshpërblejnë familjen Gavoci, thotë Bukurie Llapaj.
Para se të niste përpalsja, ku u përfshi edhe Policia e Shtetit, mes palëve ka pasur një marrëveshje të bërë në vitin 2015 para noterit, ku banorët binin dakord se do të merrnin shtëpinë në këmbim të sipërfaqeve që zotëronin, mbi të cilat do të ndërtohej një pallat i ri. Kjo marrëveshje i ka mundësuar edhe familjes pronare që të regjistrojë pronën në hipotekë, e nga ana tjetër të vërë në lëvizje Përmbarimin ndaj banorëve.
Top Channel kontaktoi me përfaqësues të familjes Gavoci. Zoti Aleksandër Gavoci tha se do të na parashtronte pretendimet dhe dokumentet që disponon kur të gjente kohë. Ndërkohë, pas pezullimit është rikthyer në detyrë efektivja e policisë, banore në këtë ndërtesë, Blerta Dervishi. Nëna e saj, Fatime Dervishi kërkon vetëm drejtësi.
Top Channel