Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave raportoi në Kuvend se ndërtimi është sektori me rrezikshmërinë më të lartë për këtë aktivitet të paligjshëm.
“Sektori i ndërtimit një nga ata me riskun më të lartë për pastrimin e parave. Jo më kot numrin më të lartë të subjekteve për të cilat ka pasur masa kanë qenë pikërisht firmat e ndërtimit”, tha Arlind Gjokuta.
Ai pohon se lojërat e fatit ishin një tjetër aktivitet ku rreziku i pastrimit të parave ishte shumë i lartë. Ai pohoi se monitorimi vazhdon edhe tani që nuk aktivitet është ndaluar me ligj.
“Vazhdojmë monitorimin. Ka pasur raste kur janë njoftuar policia për transaksione te paligjshme te lojërave të fatit dhe ka pasur veprime konkrete”, tha Arlind Gjokuta.
Deputetët e Komisionit të Sigurisë pyetën drejtorin edhe për rolin e bankave në pastrimin e parave.
“Bankat mund të përdoren nga të tretë, por nuk kam indicie që të jenë përfshirë banka në pastrim parash”, shprehet Gjokuta.
Gjatë vitit 2018 janë sekuestruar 9.5 milionë euro pasuri, e paluajtshme apo si likuiditet bankar, si rezultat i luftës ndaj pastrimit të parave, raportoi Gjokuta.
Top Channel