Shefja e akuzës shqiptare Arta Marku dhe kreu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për një proces të shpejtë në skanimin e kandidatëve për lokalet e 30 Qershorit, në zbatim të ligjit për dekriminalizimin.
E ndërsa vlerësoi procesin e dekriminalizimit, Bernd Borchardt, kreu OSBE-s foli edhe për akuzat politike për shitblerje votash.
“Mendoj se Shqipëria ka edhe më nevojë për hapa të tillë përpara sot, kur akuzat politike për integritetin e zgjedhjeve minojnë besimin e publikut, si dhe njollosin procesin demokratik dhe pengojnë funksionimin e duhur të institucioneve. Sikurse theksohet në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, autoritetet shqiptare duhet të trajtojnë me përparësi problemin e vazhdueshëm të akuzave të përhapura për shitblerje votash, të cilat kanë cenuar besimin e publikut në zgjedhje. Nevojiten përpjekje serioze nga të gjitha palët për të trajtuar këtë
Fenomen”, tha Borchardt.
Klement Zguri kreu i KQZ e shikon dekriminalizimin si një proces që tashmë ka produkt.
“Për shkak të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, tendenca e krimit për të pushtuar politikën dhe bashkëjetesa politike me kontigjentin kriminal duket se po shkon drejt fundit. Ndaj, ne sot duhet të jemi të kënaqur se ligji po vepron. Për të arritur deri këtu, rruga nuk ka qenë e lehtë. Presioni ka qenë i madh, tentativat për t‘iu fshehur ligjit dhe për të anashkaluar veprimin e tij, të shumëllojshme”, tha Klement Zguri.
Arta Marku u angazhua për hetime dhe ndjekje me përparësi të të gjitha veprave penale që prekin që prekin zgjedhjet e lira.
Zonja Marku u pyet për ecurinë e hetimeve për dy dosje që lidhen me zgjedhjet e vitit 2017.
Kreu i OSBE kërkoi zhvillimin e një protestë paqësore më 16 Mars. I pyetur nga Top-Channel për procesin që ka nisur me zëvendësimin e vendeve të lëna bosh në parlament nga PD dhe LSI ai tha:
“Ky është një proces absolutisht normal. Hidhini një sy Kodit tuaj Zgjedhor. Ju ofrohet një vend dhe e keni ju në dorë ta pranoni apo jo. Sipas Kushtetutës suaj, deputeti nuk lidhet me asnjë mandat detyrues. Anëtarët e parlamentit janë, si në demokraci të tjera, të lirë. Ata u përgjigjen zgjedhësve dhe ndërgjegjes së tyre. Më pas, zgjedhësi mund të vendosë për fatin e këtyre deputetëve në zgjedhjet e ardhshme. Në dijeninë time, as opozita dhe as opozita jashtëparlamentare nuk kanë vendosur ende nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore apo jo. Padyshim, ne nxisim fuqimisht pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky është veprimi i duhur në demokraci”
Top Channel