Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të martë në lidhje me ngjarjet që ndodhën në pragun e një banese pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, për të cilën tha se është informuar në detaje mbi të, përtej videove dhe fotove të shpërndara kryesisht nga portale në kërkim të audiencës një ditë më parë.

Rama tha se në këtë mënyrë është provokuar qëllimisht irritimi i njerëzve pa u dhënë atyre asnjë informacion.

Pamjet e djeshme, edhe kryeministri i quajti irrituese. Ai shtoi se është kontaktuar më herët nga banorët e asaj shtëpia, që e kishin informuar atë se ata ndodheshin në një konflikt me një palë tjetër, e cila e ka fituar me gjyq të drejtën e trashëgimisë së asaj banese, ndërsa të zotët aktualë të shtëpisë e kanë humbur me vendim gjykate të formës së prerë të drejtën për të vazhduar të qëndrojnë në atë shtëpi.

“A është i drejtë vendimi i gjykatës? Na pëlqejnë apo jo, në sistemin që kemi zgjedhur prej vitit 1991, nuk ka asnjë fuqi që i zhbën vendimet e gjykatave, e aq më pak qeveria. Ajo që qeveria mund të bëjë është ta reformojë sistemin e drejtësisë, ta çlirojë nga korrupsioni dhe ta bëjë të drejtë dhe të denjë për fëmijët tanë dhe Shqipërinë që duam”, tha Rama.

Duke theksuar sërish se qeveria nuk mund të bëjë gjykatësin e vendimit të gjykatës, Rama tha se çdo vendim i formës së prerë ekzekutohet nga Përmbarimi, i cili kur ka nevojë për ndihmën e Policisë së Shtetit, kjo e fundit është e detyruar ta mbështesë.

Edhe pse e quajti një vendim të ligjshëm praninë e policisë si një kërkesë të ligjit, Rama tha se sjellja e saj nuk ishte as dinjitoze dhe as efikase, teksa e përshkroi trupën e policisë si të papërgatitur për atë situatë sidoqoftë delikate.

“Si rrjedhojë u krijuan skena krejt të panevojshme, me njerëz që shtriheshin në rrugë dhe uniformat blu që nuk dinin çfarë të bënin, por rrinin e lëviznin si një trup pa kokë që krijonte veç acarim”, tha Rama.

Rama e quajti një mësim të mirë për Policinë e Shtetit, reagimin dinjitoz të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, sikurse quajti dinjitoz edhe reagimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që shkarkoi nga detyra drejtorin e bluve të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA