Një nga shuplakat që shpesh ish-ambasadori Donald Lu iu përplaste autoriteteve shqiptare deri në përfundim të mandatit të tij verën e 2018 mbante pikërisht emrin e Klement Balilit.
Tashmë edhe pse i pagëzuari si Eskobari i Ballkanit mbahet në paraburgim dhe Donald Lu e ka mbyllur mandatin ne Shqipëri dhe është caktuar ambasador në Kirgistan, për amerikanët misioni “Balili” vazhdon.
Një nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane ka vëzhguar procesin ndaj të pandehurit Klement Balili, ditën kur pritej që të shpallej pretenca e prokurorisë që e akuzon për trafik grup kriminal dhe pastrim parash.
Pretenca dështoi pasi i dyshuari mungonte, ndërkohë që avokati i tij kishte dorëzuar një raport që e deklaron atë të sëmurë deri në datën 16 mars.
Për këtë arsye seanca u shty për në datën 26 mars. Megjithatë të huajt i kanë treguar prezencën e tyre drejtësisë edhe për procese të tjera sikurse dosja Imamët, Shullazi.
Prania e monitoruesit që u ul njësh me gazetarët si pjesë e publikut ndodh pikërisht pasi gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të Balilit, i cili do të përfitojë një të tretën e zbritjes së dënimit.
Emri i Balilit doli në skenë gjatë kohës kur ai ishte kreu i drejtorisë së transporteve gjatë një hetimit të DEA-s në Greqi për një rrjet trafiku, ndërkohë që dyshohet se Balili koordinonte me telefon veprimet e skafistëve që po transportonin nga Saranda drejt Greqisë gati 700 kg kanabis.
Por çështja e tij qëndroi në ajër për gati dy vite dhe pikërisht një ditë pasi ai u vetëdorëzua prokuroria shpalli të mbyllura hetimet dhe dorëzoi çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Top Channel