Humbja 2-0 në Madrid përballë Atleticos, e ka nxjerrë Juventusin me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve, por bardhezinjtë duket se besojnë te kualifikimi në ndeshjen e kthimit, në “Allianz Stadium”.
Për të karikuar tifozërinë dhe për të rritur entuziazmin, 48 orë para kësaj sfide ka folur njeriu që erdhi te Juventusi për ta ndihmuar të fitojë Championsin, ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo.
Portugezi ka dhënë një intervistë për mediat e klubit bardhezi, ku ka ftuar tifozët të krijojnë një atmosferë magjike, pasi në kampin e Juventusit të gjithë besojnë te përmbysja e madhe.
“Bëjeni stadiumin fantastik dhe ne do të bëjmë punën tonë, për të shënuar dhe fituar ndeshjen. Besojmë se do të përjetojmë një mbrëmje të madhe, duke u kualifikuar për në çerekfinale”, tha portugezi, duke i dërguar një mesazh të qartë tifozërisë bardhezi.
Megjithatë Ronaldo, i cili është përballur me dhjetëra herë me Atleticon e Madridit, gjatë kohës që ishte pjesë e Realit, e njeh mirë kundërshtarin e të martës në mbrëmje, ndaj u kujton shokëve të skuadrës, se nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Atletico është një skuadër e organizuar mjaft mirë, që luan me kujdes mbrapa dhe të pret, për të goditur në kundërsulm. Duhet të bëjmë kujdes dhe të gjejmë kohën e duhur për t’i goditur, por kam besim se do t’ia dalim të përjetojmë një natë speciale”, theksoi Ronaldo.
Top Channel