Pirateria televizive përmes IPTV po futet në lupën e organeve shtetërore. Digitalb po bashkëpunon ngushtë me AMA, AKEP dhe Policinë e Shtetit për të goditur subjekte piratuese.

Lufta ndaj piraterisë do të bëhet në baza institucionale. Demi ekonomik është i madh si për qytetarët ashtu dhe për platformat e licensuara televizive, por edhe për vetë shtetin që pëson rënie të ardhurave.

Një mbledhje e posaçme i zhvillua mes përfaqësuesve të Digitalb, Policisë së Shtetit, AMA-s dhe të AKEP të bashkërenduar luftën ndaj piraterisë.

“Unë e kuptoj që kjo është një luftë shumë e rëndë sepse prapa kësaj piraterie janë miliona. Nga studimet tona, mendojmë se janë më shumë se 150 mijë abonentë të cilët kanë rënë pre i piraterisë televizive, kjo lloj piraterie është tashmë një pirateri e sofistikuar dhe si e tillë kërkon dhe nga ana jonë të sofistikohemi dhe të mbështetemi në baza sa më të sigurta ligjore për ta luftuar këtë fenomen”, tha Arben Taipi, administrator i Digitalb.

Kryetari i AMA-s Gentian Sala tha se me AKEP është drejt përfundimit të një marrëveshje me dy insticione, e cila në thelb duhet të ketë goditjen në kohë reale të piraterisë përmes internetit.

“Të ndërpresë një ndeshje në mëngjes është një gjë. E ta ndërpresësh piraterinë para se të nisë ndeshja krijon dëm për atë që pirateron. Duhet të ketë ndërhyrje në kohë reale ky është thelbi”, tha kreu i AMA

Kurse zyrtaret e AKEP thonë se kompanive të internetit do t’u kërkohet llogari nëse kanë vepruar në kohe apo jo për mbylljen e subjekteve piratues, ndërkohë që do të formohen grupe inspektimi të përbashkëta me AMA-n.

“Ne thjesht e përcjellim dhe kërkojmë zbatimin rigoroz nga ISPT, pra dhe i kontrollojmë dhe i kërkojmë që të bëni raportim mbrapsht dhe në inspektimet e programuara gjithmonë ne kontrollojmë se si janë përgjigjur ndaj kërkesave për bllokimet të streaming, apo lojërave të fatit, është pjesë dhe e inspektimit rutinor. Është shtuar si pikë kjo për të parë në sa kërkesa të AKEP ata janë përgjigjur dhe sa shpejt e kanë kryer, si e kanë kryer dhe si kanë raportuar mbrapsht”, tha Denion Meidani, drejtor Monitorimit te Frekuencave dhe Inspektimit, AKEP.

Drejtuesit e lartë të policisë shprehën gatishmërinë për të mbështetur luftën ndaj piraterisë televizive, madje kërkesa ka dhe nga Interpoli, kurse nga subjektet që dëmtohet do të ofrohen prova për piratuesit.

“Unë do ju sjell një provë të pastër në dorë me ekipin tim. Me bashkëpunim me AMA dhe AKEP do iu sjell një provë në dorë që ju e keni fare të lehtë ta gjykoni këtë gjë pastaj”, tha Arben Taipi, administrator i Digitalb.

Digitalb do të bashkëpunojë dhe me institucionet përkatëse në Kosovë dhe Maqedoni për të luftuar piraterinë televizive, ndërsa në Shqipëri mund të bëhen dhe ndërhyje ligjore për të forcuar luftën ndaj këtij fenomeni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA