Emisioni “Open” nga Eni Vasili pati mbrëmjen e së hënës një panel gazetarësh, si Basir Çollaku, Mentor Kikia dhe Enton Abilekaj, ndërkohë që i ftuari tjetër ishte ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Pjesa e parë e emisionit u fokusua kryesisht në të ashtuquajturat “Superdosje”, referuar atyre me kodet 339 dhe 184, që janë hapur nga Prokuroria në lidhje me akuzat për blerje votash në bashkëpunim me grupe të njohura kriminale.

Në fjalën e tij, Çollaku deklaroi se pjesë e dosjes 184 dyshohet të jetë edhe ish-ministri Damian Gjiknuri, si i ministër i deleguar për Qarkun e Dibrës. Blerja e votës në Dibër, pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, është hetuar dhe pjesë e hetimeve duket se kanë përfunduar edhe ish-shefi i komisariatit të policisë së Dibrës, vëllai i të cilit është kapur më vonë për kokainë në Lezhë, por edhe ish-drejtori i policisë Edmond Targaj, si dhe Ymer Lala, i lakuar dhe akuzuar aq shumë nga Partia Demokratike si pjesë e kësaj skeme.

Por, gazetari Çollaku tha se këto dosje “të mëdha” që janë hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë çuar në largimin e titullarëve, një prej të cilëve edhe Besim Hajdarmataj.

Top Channel