Zinedine Zidane bën surprizën dhe rikthehet te Reali i Madridit. Klubi “merengues” zyrtarizoi lajmin që po qarkullonte në orët e fundit në medien spanjolle, për ardhjen e Zidane në stol në vend të Santiago Solarit.

Zinedine Zidane do të drejtojë Realin e Madridit për pjesën e mbetur të sezonit, por edhe për 3 sezonet e ardhshme deri në vitin 2022.

Emri i Zidane u lidh ditët e fundit me atë të Juventusit, ku shihej si pasuesi i Massimiliano Allegrit. Madje, në medien spanjolle u tha se ai ishte pranë nënshkrimit të një kontrate 3-vjecare me bardhezinjtë. Ishin këto zëra, që të linin të kuptoje se francezi e kishte refuzuar propozimin e Florentino Perezit. Por, në harkun e pak orëve, situata ndryshoi totalisht dhe Zidane bëri prapakthehu në qëndrimin e tij.

Mësohet se, një prej aspekteve që duket se ka bindur Zidane të pranojë rikthimin në pankinën e “Los Blancos” është pushteti i plotë që i jepet për të konfiguruar skuadrën sipas ideve të tij, diçka që nuk e kishte më parë.

Zidane vendosi të marrë sërish Realin e Madridit në drejtimin e tij pas 284 ditësh. Në etapën e tij të parë në stolin e kësaj skuadre, ai arriti 104 fitore, 29 barazime dhe 16 humbje, në 149 ndeshje të luajtura. Por, më e rëndësishmja është se me Zidane në stol, Reali i Madridit fitoi 3 tituj radhazi në Champions League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA