Protestues kundër qeverisë u përleshën të shtunën me forcat e sigurisë në kryeqytetin venezueljan të Karakasit. Ata shprehën hapur irritimin rreth ndërprerjes së energjisë elektrike në pjesën më të madhe të vendit si dhe mbi situatën e paqëndrueshme ekonomike e politike.
Mbështetësit e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido hodhën thirrje të tilla si “vrasës” në drejtim të forcave të sigurisë. Këta të fundit u tërhoqën më pas nga zona ku po mbahej protesta.
Ndërkohë Partia Socialiste e Presidentit Nicolas Maduro bëri thirrje për një demonstratë rivale, për të protestuar ndaj asaj që e cilëson, qasje imperialiste e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj qeverisë venezueljane në një përpjekje për t’i ndërprerë asaj burimet e financimit.
Pjesa më e madhe e vendit vazhdon të jetë pa energji elektrike. Ndërprerja që nisi të enjten konsiderohet më e gjata e kohëve të fundit dhe shkaku i saj mbetet ende i panjohur. Ndërprerja e ka përkeqësuar krizën politike dhe ekonomike të Venezuelës, duke rrezikuar pacientët në spitale dhe duke çuar në mbylljen e shkollave dhe bizneseve.
Në Karakas pati një rifillim të ngadaltë të shërbimeve sikurse në shtete si Miranda dhe Vargas-i, ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar i vendit dhe një nga portet kryesore. Energjia vazhdon të jetë e ndërprerë në shtetet perëndimore të Tachira-s dhe Zulia-s ndërsa situata e furnizimit me energji eletrike në shtetet e tjera perëndimore mbetet e paqëndrueshme.
Udhëheqësi i opozitës Juan Guaido fajësoi për situatën korrupsionin dhe keqmenaxhimin nga ana e qeverisë, ndërsa Partia Socialiste në pushtet pretendon se kjo është pjesë e një komploti të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara për të detyruar Nicolas Maduron të largohet nga pushteti.
Top Channel