Tek përroi i Agait, pranë shkëmbit të Kavajës, banorët ankohen për një pikë depozitimi dhe përpunimi të naftës dhe vajrave, e cila është e pa licencuar dhe punon gjatë orëve të natës.
Gjatë trajtimit të vajrave të djegur, sipas banorëve zona ndotet nga shkarkimet në ajër të gazrave, por edhe shkarkimet nëntokësore. Banorët kanë mbi tre vite që ankohen, por asnjëherë nuk u është zgjidhur si problem. Sipas tyre, edhe pse aty është pezulluar puna nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, sërish asnjë gjë nuk ka ndryshuar, pasi ata punojnë natën.
Specialistët e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, sa herë që shkojnë për kontroll e gjejnë derën e mbyllur. Gjatë një inspektimi ata kanë kërkuar ndihmën e policisë për të hyrë në subjekt.
Gjatë ushtrimit të kontrollit është konstatuar që punojnë pa licencë dhe u është vendosur gjobë prej 3 milion lekësh të vjetra. Më pas kjo çështje i është referuar policisë. Policia ja ka referuar prokurorisë e cila e ka pushuar çështjen, pasi sipas saj nuk ka vepër penale. Prokuroria s’ka bërë asnjë hetim të detajuar për të vërtetuar pretendimet e banorëve.
Fabrika e depozitimit të karburantit apo vajrave ka qenë ekzistues qysh rreth vitit 1939, dhe ka funksionuar si
vend depozitimi për gjatë gjithë viteve në vazhdim.
Problemet e banorëve kanë lindur para tre vitesh ku ky objekt u zotërua nga Fisheku SH.P.K. i cili ushtron aktivitet pa licencë dhe pa asnjë lloj dokumentacioni. Banorët ankohen se punon natën dhe bën trajtimin e vajrave të djegur dhe naftës.
Ky subjekt ndodhet afër zonës së banuar,rreth 150 m nga bregu dhe 200 m nga depot e ujit që furnizojnë të gjithë zonën turistike. Gjatë verës fluksi i banorëve aty rritet, pasi shumë pranë ka pallate, hotele dhe resorte turistike.
Por ata që e vuajnë sistematikisht këtë problem janë banorët e zonës të cilët tregojnë për Fiksin që po i vrasin për së gjalli. Ata shprehen që ky është kthyer në një shqetësim që duket sikur nuk do të marrë asnjëherë zgjidhje, pasi edhe policia kur vjen, rri pak edhe largohet. Ata nisin direkt punën me largimin e policisë. Banorët kanë bërë disa video dhe foto ku duket që subjekti është në punë, madje në të hynë dhe dalin autobote të mëdha të cilat transportojnë vajra dhe naftë.
Sipas tyre as Portali Bashkëqeverisjes nuk arriti që ta zgjidhe këtë punë. Ata u ankuan, morën një përgjigje që subjekti është mbyllur por sërish, ata punojnë natën të pa bezdisur nga askush. Madje gjatë intervistës me banorët, punonjës së firmës ishin duke hedhur rërë bituminoze në rrugën që të çon për në subjekt.
Fiksi intervistoi përgjegjësin e zyrës së Inspektoriatit
Shtetëror të Mjedisit Durrës, i cili thotë se ata, pas ankesave të banorëve kanë vajtur disa herë në subjekt, por nuk i hapte derën njeri.
Nga ana e tyre është thirrur policia që ka bërë të mundur hyrjen në subjekt. Ata nuk i kanë gjetur në punë, por kanë krijuar bindjen që aty punohej.
Ata i kanë vendosur një gjobë 3 milion lekë dhe kanë bërë mbylljen e aktivitetit. Kanë njoftuar tatimet dhe policinë që subjekti ushtron aktivitet i pa licencuar. Policia e ka referuar në prokurori por kjo e fundit e ka pushuar çështjen pa e hetuar fare. Sipas saj nuk ka vepër penale.
Top Channel