Beteja gjyqësore për “Velierën”, një nga investimet më të rëndësishme dhe më të përfolura të dy viteve të fundit në qytetin bregdetar, është mbyllur në favor të Bashkisë së Durrësit.
Shoqëria Civile që paditi bashkinë në gjykatë dhe deklaroi se do e ndiqte çështjen deri në Strasburg u tërhoq, duke i hapur rrugë punimeve të bllokuara që prej shkurtit të vitit 2017. Pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, firma zbatuese ka rinisur punimet.
“Ky është krimi më i madh, ndërsa kryetari i bashkisë bën sehir. Ai ndërtim ka historinë e vet dhe nuk duhet të shkatërrohet”, thotë një qytetar.
“Shumë mirë kanë bërë. Madje kanë vonuar kot nisjen e punimeve që duhej të kishin përfunduar me kohë”- shprehet një tjetër qytetar.
Ndërsa qytetarët durrsakë janë të dyzuar në lidhje me zbatimin e projektit dhe vendimin e gjyqësorit shqiptar, firma zbatuese e projektit duhet të integrojë në projektin përfundimtar edhe gjetjet e trashëgimisë kulturore që dolën në dritë gjatë fazës së parë të zbatimit të këtij projekti.
Top Channel