Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se është marrë si i pandehur se ka denoncuar trafikantët e drogës me gjithë gazetarin Jetmir Olldashi.

Pasi ka dalë nga Prokuroria e Tiranës, ku është marrë si i pandehur për çështjen “Babale”, Salianji ka thënë se pasi të njihet me dosjen, akuzat e ngritura do të bien në gjykatë.

“Do ta vazhdojmë procesin, pasi do njihem me akuzat. Jam marrë si i pandehur se denoncova trafikantin. E gjithë kjo gjë do rrëzohet në gjykatë. Sapo të njihem me aktet e dosjes, do ketë të reja. Kjo është një mënyrë e turpshme nga ana e Prokurorisë, pasi marrja e një gazetari si të pandehur dhe vendosja nën akuzë se ka zbuluar trafikantët, duke treguar me video trafikun e drogës në Vlorë, jo vetëm është e papranueshme, por është në tejkalim të shtetit të së drejtës, – tha ai. – Megjithatë shteti ka marrë rrugën drejt rrëzimit. Unë akuzohem për agjitacion në bashkëpunim me gazetarin Jetmir Olldashi, por ju them se frika nuk hyn në ndjesitë e mia. Rasti i Geron Xhafajt në lehtësimin e akuzave të trafikut të drogës është një gjë që dihet. Të gjitha shërbimet në vend dhe ato të huaja, kanë qenë në ndjekje të tij, ndërkohë që e kapëm ne para tyre”.

Gjykata ka urdhëruar organin e akuzës që brenda datës 20 mars të përfundojë hetimet për çështjen ndaj ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji. Ndërkohë që për këtë çështje nën hetim janë edhe Albert Veliu i njohur si “Babalja”, personi që imitoi zërin e Agron Xhafajt, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi. Kështu, Salianji është marrë i pandehur, pasi është personi që denoncoi audiopërgjimin.

Përmes një audio-përgjimi të publikuar nga partia demokratike e cila u u kthye edhe në akuzën e opozitës ndaj qeverisë, u pretendua se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, fliste me Albert Veliun, njohur si “Babale” për pazare droge.

Por zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës. Pasi u arratis fillimisht në Kosovë ku kërkoi për disa muaj azil politik, Albert Veliu përfundoi në fillim të këtij viti në Belgjikë.

Top Channel