Ideja e arkitektit Stefano Boeri për një kullë me pyll vertikal në Tiranë ka pasur jehonë në revistën “Dezeen”, ku theksohet se ky arkitekt është i specializuar në ndërtimin e kullave të tilla, pasi më parë i ka realizuar në Milano, Utreht dhe Nanjing.

“E quajtur “Pylli Vertikal i Tiranës”, kulla me fasadë xhami do të ketë bimë të mbjella nëpër ballkonë për të rritur sipërfaqen e gjelbër në qytet dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Stefano Boeri thotë se kjo do të krijojë 550 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër në Tiranë”, lexohet në artikull.

“Bimët thithin dioksidin e karbonit dhe grimcat e pluhurit që ndosin atmosferën e qyteteve, duke nxjerrë oksigjen dhe duke krijuar mikroklima që janë më të shëndetshme për banorët”, shton artikulli i “Dezeen” për projektin me zhvillues “Gener 2”.

Drejtoresha e “Stefano Boeri Architetti” shprehet: “Ne kemi punuar në fasadë, duke përmbysur idenë në të cilën fasada kryesore e secilës ndërtesë është më e gjata dhe duke hapur plotësisht anën e shkurtër të këtij Pylli Vertikal drejt qytetit”.

Kulla do të jetë 21 kate e lartë dhe do të ketë105 apartamente. Do të përfshijë gjithashtu katër nivele nëntokësore dhe në katin përdhes do të ketë hapësira për dyqane.

Top Channel