Një grup mësuesish nga qyteti i Dibrës në festën e tyre ngritën zërin për një të drejtë që u mohohet. Përveç urimit për kolegët ata kërkojnë edhe rritjen e pagave të tyre sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2017. Ndërkohë që shumë të tjerë si ta, që janë me diplomën e shkollës së mesme pedagogjike e marrin këtë shtesë.

Në vend janë 12 qarqe nga ku 4 prej tyre ende nuk është zbatuar Vendimi i Këshillit të Ministrave dalë në Mars të 2017.

Mësuesit vendosën që t’i drejtoheshin Fiks Fare për problemin që nuk e kanë zgjidhur prej 2 vitesh. Ata tregojnë se nuk kanë përfituar ngritjen e pagës që u është vënë me ligj, ndërkohë që shumë qarqe të tjera e marrin, në Dibër jo. Ata pohojnë se kjo kategori mësuesish kanë marrë nga Ministria e Arsimit edhe titullin “Mësues Mjeshtër”, por që financiarisht nuk po marrin atë që u takon. “ E vetmja shprese është Fiks Fare pasi me drejtorinë arsimore dhe ministrinë nuk po gjejmë zgjidhje dhe pse u jemi drejtuar disa herë me shkresa” pohon njëri prej mësuesve.

Për këtë arsye Fiks Fare iu drejtua ish kryetarit të Sindikatës së Arsimit në Shqipëri, z.Xhafer Dobrushit. Ai pohon se pretendimi i mësueseve është i drejtë dhe i bazuar në ligj. “ Janë katër qarqe në vend të cilat nuk e kanë dhënë për këtë kategori arsimtarësh shtesën e pagës dhe ato janë Dibra, Shkodra , Kukësi dhe Elbasan” tha ish kreu i sindikatës.

Ai gjithashtu pohon se kanë negociuar me Ministrinë e Arsimit dhe është arritur për shumicën e qarqeve që shtesa të jepet. “ E kanë arritur ato qarqe që kanë patur një personel të kualifikuar në zyrat juridike dhe të financës” shprehet Dobrushi.

Ai thotë se në takimin e fundit me zyrtar të ministrisë u është thënë se do zgjidhet shpejt kjo situatë, por kanë kaluar 2 vjet që atëherë.

Top Channel