Top Story u ndal tek pjesa sesa kushton biznesi i vdekjes në Shqipëri. Sipas Bashkisë së Tiranës vetëm në Kryeqytet, vdesin çdo vit, mesatarisht 3200 persona.

Ndërsa në shkallë vendi, sipas të dhënave të INSTAT, vdesin më shumë se 22 mijë persona në vit. Duke pasur një dyndje të popullsisë drejt qendrave urbane, nevoja më e madhe për vende varrimi ndihet në qytetet e mëdha. Kësisoj biznesi i shërbimeve funerale ka hyrë në një konkurrencë të paimagjinueshme. Në këtë konkurencë ka humbur edhe respekti për të vdekurit.

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë duke marrë kostot minimale sot të një varrimi!

Nëse jeton në Tiranë, shërbimi i varrimit pranë Bashkisë, kushton 240 mijë lekë të vjetra.
Dy kurora të thjeshta me lule, kushtojnë 50 mijë lekë. Transporti kushton minimalisht 60 mijë lekë.
Arkivoli më i lirë në treg kushton, 200 mijë lekë.
Një kostum i thjeshtë për të ndjerin, kushton 150 mijë lekë.
Ndërtimi i varrit me mermer – Kushton minimalja 800 mijë lekë.
Ndërkohë një drekë e thjeshtë në një restorant kushton rreth 500 mijë lekë.
Në total – Kostot minimale të një varrimi sot në Shqipëri janë afërisht 2 milion lekë të vjetra.

Por realisht, asnjë shqiptar nuk paguan kaq pak për një ceremoni mortore. Tregu i shërbimeve funerale, njeh çmime marramendëse. Në disa raste vetëm arkivoli kushton mbi 2 milion lekë. Ndërkohë në disa prej varreve, sasia e gurit dekorativ, kap shifra deri në dhjetëra milionë lekë.

Është e habitshme ta mendosh se përse një arkivol prej druri duhet të kushtoi 2 milion lekë. Ai ka thjeshtë dërrasë, e prodhuar nga druri tepër të lirë dhe 4 doreza metalike.

Këtu nuk po përmendim ndërtimin prej mermeri apo bustet, të cilat i tejkalojnë 5 milionë lekë për një varr.

Top Channel