Dënimi ekstrem i Kamzës për dhunën ndaj arbitrit Hamiti, do të ketë ndikim të pashmangshëm jo vetëm në luftën për mbijetesën në kategorinë Superiore, por gjithashtu dhe në pozicionet për kreun.
Sanksionet e rënda ndaj skuadrës nga periferia e kryeqytetit, bëjnë që çdo skuadër e cila ka në program një ndeshje me të, të fitojë automatikisht në tavolinë 3-0.
Por nga vendimi i Komisionit të Disiplinës, nuk bën përjashtim as Kupa e Shqipërisë. Kamza ishte projektuar si kundërshtar i Skënderbeut në fazën gjysmëfinale të trofeut të dytë nga rëndësia në futbollin shqiptar. por përjashtimi i ekipit, bën që korçarët të kualifikohen në gjysmëfinalet e kupës pa luajtur fare.
FSHF përdori grusht të hekur për dhunën në fushën e Kamzës e kështu, Skënderbeu pret i qetë mes 4 më të mirëve të turneut. Ekipi i trajnerit Orges Shehi do të luajë me fituesin e çiftit Partizani-Luftëtari, me të cilin do të diskutojë edhe një vend për finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë.
Mbetet ndërkohë e paqartë e ardhmja për futbollistët e federuar me Kamzën që duhet të kërkojnë të lëvizin në ekipe ku merkatoja është ende e hapur. opsion tjetër mbetet lëshimi që mund të bëjë FSHF, për t’i lejuar të lëvizin në ekipe në futbollin tonë.
Top Channel