Sot në mbrëmje nis seria e ndeshjeve të kthimit të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve.
Reali i Madridit do të luajë në “Santiagio Bernabeu” me Ajaxin, me skuadrën madrilene që ka avantazhin e fitores së sfidës së parë 2-1. “Los Blancos” vijnë në këtë përballje pas dy humbjeve në “El Clasico”-n me Barcelonën dhe ndaj holandezëve do të kërkojnë që të fshijnë imazhin jo të mirë të krijuar pas këtyre dy përballjeve. Reali nuk do të ketë në fushën e lojës kapitenin Sergio Ramos, i pezulluar me 2 ndeshje pas kartonit të verdhë të marrë qëllimisht në sfidën e parë. Në krahun tjetër, Ajax do të kërkojë të shfaqet më agresiv ndaj Realit të Madridit për të ndryshuar fatin e kësaj eliminatoreje, por nuk duhet harruar që skuadra “merengues” shndërrohet në momentin që dëgjon himnin e Ligës së Kampioneve.
Në “Signal Iduna Park”, Borussia Dortmund do të presë Tottenhamin, ndaj të cilit duhet të bëjë mrekullinë dhe të përmbysë disavantazhin 3-0 të sfidës së parë. Skuadra gjermane nuk është në momentin më të mirë të saj dhe kjo u pa edhe në fundjavë, me humbjen ndaj Augsburgut, që i dha mundësi Bajernit të Mynihut që ta arrijë në krye të renditjes në Bundesligë. Edhe Tottenham nuk është në ditët e tij më të mira. Skuadra e Spurs vjen në sfidën ndaj Dortmundit pas dy ndeshjeve derbi në Premier League me Chelsea dhe Arsenal ku mori vetëm 1 pikë nga 6 të mundshmet.
Top Channel