Në Tiranë pothuajse çdo ditë qytetarë të ndryshëm bllokohen në ashensor.
Në raste të tilla, qytetarët telefonojnë menjëherë zjarrfikësen. Edhe pse banorët paguajnë një detyrim mujor ndaj kompanive që kanë instaluar ashensorin për mirëmbajtjen e tij, duket se kujdesi nuk është maksimal. Për këtë arsye, zjarrfikësja detyrohet që ashensorët shumë herë t’i hapë me dhunë në momentin që çelsat alternativë nuk funksionojnë.
Ilir Xhanari, komandant i stacionit zjarrfikës Tiranë, shprehet: “Vetëm për vitin 2018 ka pasur rreth 320 raste të bllokimit të dyerve dhe ashensorëve. Si fenomen kemi bllokimin e ashensorëve nga ndërprerja e energjisë elektrike në momente të caktuara. Del e domosdoshme që të gjitha këto kompani që i mirëmbajnë dhe që paguhen nga administratorët e pallateve për këtë shërbim që bëjnë, këto ashensorë duhet të kenë edhe bateritë e emergjencave të cilat ka pallate edhe që nuk e kanë. Këto bateri janë të riciklueshme, çka do të thotë se duhet të ndërrohen në momentin që përfundojnë ciklin e tyre. Këto kompani nuk i ndërrojnë bateritë, edhe pse një gjë e tillë duhet bërë”.
Institucioni që merret me monitorimin e ashensorëve është Insituti i Mbikqyrjes së Tregut. Nëse ky organ konstaton që ashensori nuk plotëson kushtet e sigurisë teknike, menjeherë kontakton kompaninë përgjegjëse, e nëse kjo e fundit nuk i përmirëson kushtet e sigurisë, atëherë lajmërohet policia dhe gjykata.
Pavarësisht kësaj, qytetarët e kryeqytetit telefonojnë pothuajse çdo ditë 128, për të dalë nga një ashensor i cili nuk funksionon mirë. Duhet të kujtojmë që vetëm një javë më parë në zonën e Don Boskos u shkëput ashensori i një biznesi. Brenda tij ishte një vajzë 24-vjeçare e cila pësoi dëmtime serioze në trup.
Top Channel