Tornadot lanë pas një vazhdë shkatërrimi në kontenë Lee të Alabamës Lindore.

23 vetë, disa nga të cilët fëmijë, humbën jetën nga vorbullat e fuqishme të ajrit dhe numri i viktimave, sipas autoriteteve, mund të rritet akoma edhe më shumë. Nuk dihet ende me saktësi sesa janë të plagosurit. E gjithë zona është bllokuar. Shërbimi meterologjik kombëtar e klasifikoi tornadon e parë si të paktën një EF3, që do të thotë se erërat e kanë mbërritur shpejtësinë 266km/h. Është e qartë se pasojat e një tornadoje të tillë janë shkatërrimtare.

Autoritetet thonë se ata ende po punojnë për të identifikuar viktimat dhe të plagosurit. Anëtarët e familjes thonë se një prej viktimave ishte një djalë vetëm 8 vjeç, në qytetin Beauregard.

“Për aq sa unë mund të kujtoj, ne kurrë nuk kemi pasur ndonjëherë më parë një situatë si kjo. Në jetën time nuk kisha parë diçka të tillë”, u shpreh mjeku Bill Harris, banor i kontesë së goditur.

Qendra mjekësore në Alabamën Lindore tha se po trajtonte mbi 40 të plagosur nga moti ekstrem dhe se pret akoma më shumë. Në të gjithë Alabamën, rreth 4 000 vetë kanë mbetur pa energji elektrike. Si të mos mjaftonte kjo e keqe, pas tornadove në rajon pritet një valë e re të ftohti me temperatura që parashikohet të bien ndjeshëm.

Top Channel