KQZ është mbledhur sot për t’i dhënë mandatet 4 deputetëve të rinj nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi t’i japë mandatin e deputetit kandidatit Edmond Abazi, duke zëvendësuar në këtë mënyrë ish-deputetin e LSI-së Endrit Braimllari. Po kështu, KQZ i ka dhënë mandatin dhe znj. Aurora Marës nga lista e kandidatëve për deputetë të LSI-së e cila zëvendëson ish-deputetin e Dibrës, Përparim Spahiu.

Enver Roshi në qarkun e Elbasanit po kështu do të jetë deputet i LSI-së në Kuvend, në vend të Edmond Haxhinastos. Një tjetër kandidat në listën shumëemërore të LSI-së që ka kërkuar të hyjë në parlament është edhe Ylli Shehu. Ai ka rezulton i dënuar me 200 mijë lekë gjobë dhe këtë gjë e ka deklaruar edhe vetë kandidati në formularin e vetëdeklarimit. Por, KQZ vendosi t’i japë kandidatin edhe Shehut, përfaqësues i Qarkut Tiranë, i cili zëvendëson Floida Kërpaçin.

Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në fletoren zyrtare. Kundër këtij vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor brenda 30 ditëve nga shpallja e vendimit.

Top Channel