Exclusive – Jeta e një murgeshe: 16 vite të mbyllura në një manastir…

04/03/2019 18:06

Historia e Motrave Bardha dhe Miriam është e ngjashme me 8 murgeshat e tjera, të cilat jetojnë të mbyllura prej 16 vitesh, brenda manastirit Karmelitan në Shkodër. Ato kanë një jetë të thjeshtë dhe e gjithë qenia e tyre i dedikohet lutjeve dhe zotit. Të jetosh si murgeshë është padyshim një mënyrë jo e zakonshme, e shkëputur nga përditshmëria jonë.

“Exclusive” në Top Channel solli historinë sesi erdhi thirrja për t’u bërë murgeshë si dhe jetën e tyre brenda manastirit. Motrat Karmelitane luten 7 orë në ditë. Pjesën tjetër të kohës e kalojnë me punë dore, në kuzhinë apo edhe në kopësht. Cdo ditë, që jetohet me të njëjtin ritëm.

“Kur kam qenë vajzë e re në familje e vetmja zgjidhje ka qenë për martesë por e kam ndi në zemër që martesa nuk më plotësonte, por nuk kuptoja cfarë është kjo, vetëm kur erdhën motrat e Nënë Terezës e kam kuptu, kanë qenë sakrificat e jetës dhe mundimet, por se jam pendu JO.”

Si e pritën familjarët vendimin tend?
Familjarët i kam pasur besimtarë, edhe pse gjatë komunizmit nuk kanë pas mundësi me e praktiku, ose me na e mësu ne fëmijëve hapur, por skam pas pengesë nga familja. Pyetja e parë që ka bërë babi ka qenë a e ke mendu mirë? Dhe ti si u përgjigje? Po I kam thënë sigurisht. Ti je e bindur? Po shumë e bindur dhe po të kthehesha 15 vjeçe sërish do të hyja këtu.

Cilat janë tundimet që ke përjëtuar si murgeshë?
Më kujtohet kur isha në Angli, ku djalli më tundonte duke thëne se po e humb kohën e mbyllur këtu, jashtë do ishe më e lumtur, kishe pasur me bo shumë gjëra se sa me ndejt e mbyllur këtu, më ka zgjat një kohë, pastaj më është larguar.

Motrat e udhërit Karmelitan nuk mund të dalin nga zona e përcaktuar vetëm në raste të vecanta që lidhen me besimin dhe gjëndjen e tyre shëndetësore. Por ato shprehen se këtë mënyrë jetese nuk e konsiderojnë si izolim.

Nuk ndihem e izoluar, mund të jetë kështu material por me zemër nuk jemi të izoluara, nuk jemi larg prej jush që jeni në anën tjetër sepse ju kemi në zemër, sepse të gjitha nevojat tuaja ne i mbajmë në zemër dhe ja paraqesim Zotit në lutje.

A mëkaton një murgeshë
Motrat (Qeshin)
Varet c’ka quan ti mëkat, se ka me veprime por edhe me mendime, jemi njerëz! Ne me vrasje e vjedhje e kështu gjërash jo, por kemi dhe ne mënyrat e ndryshme me mëkatu; P;sh për ty nuk është mëkat nëse nuk je falur 7 orë, për mua është, ndoshta kam folur shumë disa herë kjo për mua është mëkat, për ty jo se ke detyrën për me fol.

Cilat janë rregullat, që thyhen në manastir?
Kur thyhet rregulli i heshtjes, kur nuk zgjohesh kur duhet me u zgju, kur je e ashpër ndaj motrës, është një thyerje e dashnisë sepse nuk ke mirësjellje të mirë ndaj motrës.

Ju motër Miriam keni thyer ndonjë rregull?
(Qesh) Nuk jam e ndërgjegjshme, po kur kam folur tepër besoj.

Top Channel