Shkarkim përgjegjësie nga vetvetja i ka cilësuar Policia e Shtetit deklaratat e FSHF se do të kërkojnë për të disatën herë takim me drejtuesit e policisë, e cila sipas autoritetit më të lartë të futbollit duhet të marrë përgjegjësitë e saj.
“Referuar ngjarjeve të fundit, Policia e Shtetit ndihet e keqardhur për reagimin e sotëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe aq më tepër për gjuhën e akuzave duke u përpjekur të shkarkojë përgjegjësitë tek Policia e Shtetit, dhe duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi si aktore kryesore e organizimit të aktiviteteve sportive”, thuhet në reagimin e policisë.
Ndërkohë në këtë reagim thuhet se Policia e Shtetit ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, për përmbushjen e përgjegjësive institucionale që lidhen me sigurinë në aktivitetet sportive, futbollistike.
“Në këtë kontekst, Policia është vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e eventeve sportive”, thuhet në reagim, duke renditur edhe një serë argumentesh.
“Së pari, në datën 19 mars 2018, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është drejtuar Presidentit të FSHF-së me shkresë mbi marrjen e përgjegjësive institucionale që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit, duke kërkuar nga kjo e fundit si institucioni organizator dhe përgjegjës në zbatim të ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin”, krijimin e kushteve në ambientet sportive për Kampionatin e Futbollit 2018-2019, që nisi në Gusht 2018. Kjo, pasi Policia do të zbatonte vetëm detyrimet në funksion të zbatimit të këtij ligji. Por nga FSHF-ja nuk pati asnjë reagim apo përgjigje, as verbale dhe as shkresore”, thuhet në reagim.
Më tej Policia e Shtetit shton se konstatohet me keqardhje mospërmbushja e përgjegjësive institucionale për sigurinë e aktiviteteve sportive nga institucionet përkatëse, sa i përket plotësimit të kushteve të kërkuara të sigurisë në terrenet sportive ku zhvillohen aktivitetet sportive, futbollistike, ku rezulton se:
Nga 61 terrene sportive, vetëm në 2 stadiume, “Elbasan Arena”, Elbasan dhe “Loro Boriçi”, Shkodër përmbushen kushtet e sigurisë për të zhvilluar aktivitete sportive.
Në 59 impiante të tjera rezultojnë problematika dhe mangësi të theksuara, si:
• Dëmtime të rrethimit të jashtëm, brendshëm dhe të ndarjeve midis tribunave;
• Dëmtime të rrethimit kufizues të tribunës kryesore;
• Ekzistenca e shkallëve, apo ndenjësve të stadiumeve të dëmtuara;
• Ekzistenca e materialeve apo inerteve përreth disa stadiumeve dhe fushave sportive;
• Prania e banesave private ngjitur dhe në afërsi të rrethimit të jashtëm të stadiumeve/fushave dhe terreneve të futbollit;
• Mungesa e dhomave të kontrollit në stadiume për qëndrimin e drejtuesve të shërbimeve policore dhe grupit të koordinimit;
• Pamjaftueshmëria e portave hyrëse për në stadiume dhe me dyer të amortizuara që nuk kryejnë funksione;
• Mungesë e hyrje-daljeve të veçanta për tifozerinë e ekipeve mike si dhe e ambienteve të ndihmës së shpejtë;
• Mungesë e sistemit të monitorimit me kamera;
• Mungojnë kufizimet për futjen në mënyrë të kontrolluar të tifozëve, si dhe vendet e parkimit për mjetet e tifozëve dhe të ekipeve mike;
• Mungojnë vendet e përcaktuara për personalitetet në tribunat qendrore të disa stadiumeve, për gazetarët dhe për të ftuarit;
• Mungesë e tunelit (fizarmonikës) për lëvizjen e sportistëve nga dhomat e zhveshjes për në fushë dhe anasjelltas
• Mungesë e kushteve të domosdoshme higjenike për tifozët, etj.
Policia e Shtetit konstaton gjithashtu me keqardhje se pjesa më e madhe e organizatorëve të ndeshjeve dhe terrenet sportive, nuk përmbushin detyrimet minimale për organizimin dhe sigurinë e një ndeshjeje, si:
1. Nuk lidhin kontratë me shoqëritë private të sigurisë fizike, në përmbushje të përgjegjësive institucionale të përcaktuara në nenin 51, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për Sportin”, subjekte të cilat duhet të kryejnë:
• Kontrollin e tifozëve në portat hyrëse në mjedisin sportiv;
• Sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
• Drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll;
• Sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.
2. Nuk zbatohet detyrimi për njoftimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga organizatorët 7 ditë kalendarike përpara zhvillimit të ndeshjes, në zbatim të nenit 50, të Ligjit Nr. 79/2017 “Për sportin”.
3. Nuk zbatohen kërkesat e Ligjit Nr. 19/2016, datë 22.09.2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pasi në mjediset e terrenet sportiv nuk janë instaluar:
• Kamera të tipit CCTV, me rezolucion të lartë;
• Nuk janë hartuar skemat e ruajtjes dhe sigurimit të objektit (terrenit sportiv), të cilat duhet të miratohen nga Shefi i Komisariatit të Policisë.
Mos përmbushja e këtyre detyrimeve ka sjellë mos parandalimin dhe monitorimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndodhura gjatë zhvillimit të aktiviteteve, duke krijuar vështirësi në dokumentimin ligjor të tyre dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të veprave penale.
4. Nuk janë përmbushur si duhet detyrimet e përcaktuara në nenin 48, të Ligjit Nr. 79/2017, “Për Sportin”, përsa i përket “Ndalimit të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara”, pasi janë konstatuar problematika të shumta në drejtim të provokimeve dhe sjelljeve të palejuara nga ana e tifozerive, më e theksuar kjo për tifozeritë e ekipeve të kryeqytetit.
5. Edhe më i rëndë është fakti, se në disa raste shkaktarë të incidenteve që degjeruan në dhunë, janë vetë organizatorët e ndeshjeve, siç ishte rasti i ndeshjes Kamza-Laçi e zhvilluar 3 mars 2019, ku u arrestuan edhe 4 pjesëtarë të stafit organizator të takimit.
Në përgjigje të akuzave të FSHF-së për neglizhenca dhe mos ndëshkimin e shkelësve, Policia e Shtetit informon se janë marrë masa administrative dhe penale ndaj shkeljeve të konstatuara në ndeshjet e sezonit të fundit të futbollit, që janë:
– Proceduar penalisht 37 tifozë, drejtues klubesh, në lidhje me incidentet e shkaktuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, goditje për shkak të detyrës, dëmtim prone, kundërshtim punonjësi policie, prishje rendi dhe qetësie publike, etj;
– Proceduar administrativisht 24 punonjës shërbimi dhe drejtues subjektesh SHPSF;
– Proceduar administrativisht 39 tifozë, me gjoba nga 10.000-50.000 lekë.
“Duke njohur detyrimet që Policia e Shtetit ka për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si misionin e saj parësor, punonjës dhe drejtues janë trajnuar dhe për të përfituar nga eksperiencat më të mira në drejtim të menaxhimit të aktiviteteve sportive, në bashkëpunim me misionet e asistencës ndërkombëtare policore, si PAMECA dhe nga vende partnere europiane.
Policia e Shtetit, ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi, lidhur me mbarëvajtjen e aktiviteteve të futbollit, për planifikimin dhe marrjen e masave të sigurisë së këtyre aktiviteteve në të gjithë vendin. Por ndërkohë kërkon edhe prej institucioneve që kanë detyrime të drejtpërdrejta për organizimin e eventeve sportive, të përmbushin këto përgjegjësi ligjore.
Në të kundërt, do të merren masa të ashpra për të penalizuar jo vetëm shkaktarët e akteve të dhunës, por edhe përgjegjësit për mos-marrjen e masave që parandalojnë përshkallëzimet e ngjarjeve me pasoja.”, thuhet në reagim
Top Channel