Dhuna ndaj arbitriti Eldorjan Hamiti në përfundim të ndeshjes mes Kamzës dhe Laçit ka sjellë edhe reagimin e Shoqatës së Arbitrave.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, kjo shoqatë ngre akuzat pikërisht mbi Policinë e Shtetit, duke deklaruar se dhuna e përsëritur është pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të saj.
Sipas Shoqatës së Arbitrave, gjithçka po ndodh në futbollin shqiptar të lë të mendosh se policia po bëhet partnere me krimin, pasi nuk ka pasur asnjë reagim ligjor për këto raste dhune të përsëritura. Ashtu sikurse edhe Federata Shqiptare e Futbollit, edhe Shoqata e Arbitrave bëri thirrje për një rikthim urgjent të policisë në stadiumet shqiptare, në mënyrë që të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla të shëmtuara.
Ndërkaq, policia bën të ditur arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, 3 nga të cilët janë drejtues të klubit të Kamzës, mes të cilëve edhe presidenti i tij, Naim Qarri. Po kështu, policia bën të ditur se të dyshuar për dhunën mbi arbitrin Hamiti janë edhe 4 tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim. Në të njëjtën kohë, policia ka shoqëruar në komisariat edhe 14 persona të tjerë për sqarimin e kësaj ngjarjeje.
Top Channel