Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku doli të hënën në një konferencë për shtyp pas dhunës ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në takimin Kamza-Laçi.
Ai akuzoi Policinë e Shtetit se nuk ka reaguar ndaj këtij incidenti.
“Policia nuk ka reaguar në lidhje me incidentet në stadiumet shqiptare, edhe pas reagimeve të FSHF. Kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë pas ndeshjes së parë, ku luhej Skënderbeu dhe Partizani. Diçka e tillë ndodhi edhe javën e kaluar edhe ku u godit fotografi i Flamurtarit nga tifozët e Partizanit. Edhe media e ka kërkuar diçka të tillë, por asnjë reagim nga shteti. Kush do i mbrojë lekët e këtyre presidentëve? Nuk është marrë asnjë masë nga organet shtetërore. Në ndeshjen e fundit, u bë një “show” nga ana e policisë, por tifozët u futën në fushë, duke takuar lojtarët e tyre”, deklaroi Shulku.
“Tani lind pyetja, është i interesuar shteti dhe policia, që futbolli të vazhdojë punën në kushte normale? Në këto kushte është e vështirë të vazhdohet”, shtoi Shulku.
Top Channel