Deputetët betohen me protestë. Kuvendi mblidhet në orën 10:00. Opozita në orën 09:00 “rrethon” Parlamentin

04/03/2019 15:16

Kuvendi njoftoi 24 orë para seancës se Parlamenti do mblidhet të martën në ora 10:00. Seanca do të nisë me betimin e 4 deputetëve të rinj të cilët marrin vendet e lëna bosh nga LSI-ja.

Në mbledhjen e grupit, socialistët mësohet se i kanë kërkuar ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj t’u garantojë sigurinë fizike nga një sulm i mundshëm nga ana e protestuesve të cilët pritet të rrethojnë sërish hyrjet dhe daljet e Parlamentit.

Vetë kryesocialisti Rrama siguroi të tijtë se incidentët e herës së shkuar nuk do të përsëriten.

Masa për protestën e 5 marsit morën dhe opozitarët. Lulzim Basha mblodhi aleatët në selinë blu për detajet e fundit, ndërsa në rrjetet sociale të opozitarëve u publikuan video ku protestuesve u tregohej mënyra se si mund të mbroheshin nga gazi lotsjellës.

“Makineria e Ramës është shkërmoqur. Këtë e shohim në vendimin absurd për të mbrojtur Parlamentin ilegjitim nesër me një regjim ushtarak, ku policë dhe ushtarë që sillen si policë duan t’i mohojnë të drejtën qytetarëve për të protestuar”, tha Basha.

Krahas dosjes 339, kryedemokrati foli për një tjetër dosje me numër 184, por nuk dha detaje se kush zyrtarë janë përfshirë në të: “Dosja 339 dhe 184 do të zbardhen. Dosja 184 e Dibrës. Pyesni prokurorin. Pse nuk zbardhen detajet”.

Të martën në parlament pritet të betohen 4 deptuetë të rinj nga radhët e LSI, ndërsa të tjerë nga radhët e Partise Demokratike pritet të marrin mandatin: “T’i japim fund këtij Parlamenti ilegjitim dhe klonimet që Rama përpiqet të bëjë për një fasadë-opozitë, nuk ka për të pasur fasadë-opozitë”.

Përgatitje për ditën e martë bëri edhe policia. Krahas forcave të shumta të cilët do rrethojnë Parlamentin, në rrugët anësore dhe përballë godinës së seancave plenare, zona u blindua me kamera sigurie.

Top Channel