Në botën e peshkimit komercial, peshku në pjatën tënde nuk është viktima e vetme. Të gjitha llojet e kafshëve nënujore, mes tyre edhe delfinët, balenat, breshkat e detit dhe peshkaqenët, vriten apo lëndohen nga rrjetat e peshkimit gjatë procesit.

E fatkeqësisht, një numër delfinësh të ngordhur u gjetën më herët këtë muaj në brigjet franceze ndërsa sipas OJQ-ve, më shumë se 1100 delfinë janë gjetur të vdekur në brigjet e Atlantikut, që nga fillimi i këtij viti, pjesa më e madhe e tyre, viktima të rrjetave të peshkimit.

“Të gjithë delfinët e pajetë në plazhe janë vetëm maja e ajsbergut, sepse sipas shkencëtarëve, ata përfaqësojnë vetëm rreth 20 për qind të delfinëve që vriten në det”, tha Lamya Essemlali.

Organizata Sea Shepherd ka gjetur që nga dhjetori mbi 700 delfinë të pajetë në brigje ndërsa përllogarit se çdo vit, të paktën 6 mijë delfinë vriten përgjatë brigjeve të Francës perëndimore.

Top Channel