Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ritheksoi nga takimi me anëtarësinë e LSI në bashkinë e Fierit se mbështetja ndërkombëtare për kryeministrin Rama është zero.

Ajo solli në vëmendje që prej 8 muajsh, asnjë kryeministër i BE nuk ka pritur kryeministrin Rama. Kryemadhi tha se vendet e BE-së nuk mund të pajtohen me faktin që Shqipëria është kthyer në një kështjellë të krimit të organizuar.

“Të jeni të bindur që përkrahja ndërkombëtare ndaj Edi Ramës është zero. Mos të them që është agresive. Keni dëgjuar deklarata të ndryshme, jo ky eurodeputeti këtu, jo ky eurodeputeti atje. As mos u sugjestiononi fare. Asgjë nuk janë. Deklarata të paguara, të bëra qoka, për t’u përkthyer në përkrahje për eurodeputetë, diku me koncesione diku me para e diku me shërbime në natyrë. Më thoni në 8 muaj apo në vitin e fundit çfarë takimi zyrtar ka pasur Edi Rama si Kryeministër, me një Kryeministër të kujtdo shteti tjetër të BE-së. Mbani mend ndonjë takim? Asgjëkund. Është gati të bëjë çdo gjë vetëm të bëjë një fotografi me dikë. Nuk vajti në Amerikë, as në Gjermani, as në Francë, as në Itali, kudo në asnjë vend të BE-së. Pse? Sepse mos kujtoni që nuk na do asnjë njeri sot sepse Shqipëria është kthyer në kështjellën e krimit të organizuar, ku trafikantët e drogës dhe kriminelët ndërkombëtarë bëjnë krime në qytetet dhe kryeqytetet e Europës dhe gjejnë mburojën dhe sigurinë në drejtësi, në polici, në shtet nga qeveria e Edi Ramës. Mos kujtoni se ndërkombëtarët do të pranojnë kriminelët apo trafikantët që shesin armë në rrugët e Europës, i keni parë se çfarë thonë televizionet shtetërore të Italisë, të Gjermanisë, të Francës, të gjitha me radhë se si merren dhe se si tregojnë reportazhe se si shiten armë dhe drogë”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Top Channel