Në futbollin europian kanë mbetur aktualisht 8 ekipe, të cilat – të paktën duke u bazuar në llogaritë matematikore, – mund të finalizojnë në muajin maj sezonin perfekt.
Shumë prej tyre kërkojnë të mbyllin gjithçka me tri trofe, një rezultat i jashtëzakonshëm, që pavarësisht koefiçentit të ndryshëm të vështirësisë, do t’i ngrejë lart në piedestal.
Manchester United ka më pak mundësi se të gjithë pretendentët e mbetur në garë për “tripletën”. “Djajtë e kuq” humbën 0-2 në shtëpi ndaj Paris Saint-Germain në Champions League, e në kampionat janë në distancë të madhe me kreun. Ajo çfarë u festua vite më parë me Fergussonin në stol dhe Solskjaerin në fushë, tani duket veçse një ëndërr.
Thuajse zero janë edhe mundësitë e Lionit, që në kampionatin francez është 22 pikë pas kryesuesve. Nëse llogaritë bëhen me këtë logjikë, të pakta janë mundësitë për një “tripletë” trofesh edhe nga Ajaksi. Skuadra holandeze ka humbur në shtëpi me Realin e Madridit, ndërsa “galaktikët” u hoqën nga grupi i pretendentëve për “tripletën” pas humbjes me Barcelonën në Kupën e Mbretit.
Mbetet kështu një grup prej 5 ekipesh që synon fundin historik. Paris SG dhe Manchester City kanë hipotekuar kalimin në Champions, por nuk dihet si do të ndahen në kampionat. Barcelona dhe Bayern Munchen duhet ndërkohë të fitojnë në Champions, në ndeshjen e kthimit, respektivisht me Lionin dhe Liverpoolin.
E fundit në radhë është Porto, por askush nuk beson se luzitanët do t’ia mbërrijnë në fundin e sezonit me tri trofe.
Top Channel