Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) është përfshirë në një fortunë shkarkimesh.

Drejtorja e re Sonila Qato ka firmosur lirimin nga detyra të 11 punonjësve, shumica drejtues, mes tyre dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, i cili punonte si inxhinier në zyrën e projekteve të këtij institucioni.

Largimet nga puna janë shoqëruar me përplasje një ditë më parë. Si çdo ditë, punonjësit e ARRSH-së janë drejtuar për në punë, por jo të gjithë u lejuan të futeshin në institucion.

Dy persona qëndronin me listë në dorë pranë hyrjes së godinës së ARRSH-së, duke mos lejuar punonjësit e liruar nga detyra që të hynin në ndërtesë. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Top Channel, tentativë për të ndaluar ka pasur dhe për Afrim Qendron.

Pamjet e kamerave të sigurisë së brendshme tregojnë një person që mban në dorë një listë në hyrje të ARRSH-së. Në filmime shihet të pengohet për të hyrë në institucion edhe zv/drejtori Ergys Verdho.

Mësohet se lirimi i Afrim Qendros dhe punonjësve të tjerë është bërë me motivacionin e mungesës së besimit dhe të moszbatimit të rregulloreve. Ndërkohë, largimi i 11 punonjësve u konfirmua për Top Channel edhe nga vetë ARRSH.

Top Channel