Dosja e Tahirit, në gjykatë. Mbyllet hetimi, tani nis gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm

27/02/2019 14:40

Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, përfundoi i pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda së bashku me ish-zyrtarët e policisë Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode. Veprat që do t’i komunikohen ish-ministrit ditën e enjte janë korrupsioni dhe trafiku i narkotikëve.

Tre ish-zyrtarëve të policisë, njëri ish-drejtor i Vlorës dhe dy shefa të krimit të organizuar dhe i Postës së Dhërmiut u është komunikuar akuza përmes avokatëve të tyre, përderisa ata vazhdojnë të jenë në arrati.

Përgjatë dy viteve hetimore, sipas prokurorisë, ka dyshime se këta persona kanë bashkëpunuar me grupin e Habilajve, të cilët kultivuan kanabis dhe e trafikuan drejt Italisë. Dorëzimi i dosjes në gjykatë vjen pas zgjatjes së hetimeve pesë herë në pritje të letërporosive që duhet të përcilleshin nga Mali i Zi dhe Italia.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dha dorëheqjen nga posti i ministrit dhe më pas prokuroria kërkoi arrrestimin e tij, një masë e cila u refuzua nga gjykata që shpalli fillimisht arrest shtëpiak. Kjo masë u ndryshua nga Apeli i Krimeve të Rënda. Më herët, prokuroria dorëzoi në gjykatë dosjen e parë të kanabisit dhe më pas edhe për nëntë të tjerë. I vetmi që është veçuar është çështja për Orest Sotën, i cili u kap në Elbasan me 800 mijë euro.

Të enjten, në orën 13:00, Saimir Tahiri do të paraqitet në gjykatë për t’u njohur me akuzat, por edhe me përmbajtjen e fashikujve hetimorë, për të nisur kështu një betejë tjetër në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Top Channel