Në Krutje të Lushnjes, një çift shqiptarësh që jetojnë në Danimarkë ka investuar në krijimin e një ferme pasi përfituan 12 milionë lekë grant nga skemat kombëtare të mbështetjes për bujqësinë.

Prodhimin e eksportojnë në Danimarkë.

“Janë prodhime të veçanta që në përgjithësi shkojnë për restorantet në Danimarkë. Ne eksportojmë 2-3 trajlerë në javë”, thotë administratorja.

Duke e quajtur këtë një model të jashtëzakonshëm shprese, kryeministri Edi Rama premtoi se ndihma e shtetit do të vijojnë: “Është model shprese. Është model perspektive. Është model suksesi. Është për t’iu treguar të tjerëve që, kur shkon deri në Danimarkë, ku janë standardet më ekstreme të garancive të sigurisë ushqimore, llogarite sa shumë mund të bëhet me këto produkte”.

Rama vizitoi edhe shkollën “Kongresi i Lushnjes”, ku pas 25 vitesh është rikthyer tradita e klasës së muzikës. Kjo ishte një kërkesë e vetë prindërve paraqitur në portalin e bashkëqeverisjes.

“Portali ka funksionuar siç duhet. Na ka ardhur një ankesë si propozim që për shkak se ka mjaftueshëm nxënës të talentuar që duan të bëjnë klasën e muzikës, të mos ikin në Fier, por ta bëjnë këtu”, tha ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Këtë rast, kryeministri e komentoi pikërisht nga takimi i përjavshëm i bashkëqeverisjes, duke e treguar si shembullin tipik se në aleancën me njerëzit e zakonshëm, zëri i tyre dëgjohet.

Deri tani janë mbi 35200 numri i ankesave dhe propozimeve të paraqitura në platformën shqiperiaqeduam.al.

Top Channel