Një ditë pasi mori njoftimin për përfundimin e mandateve të 57 deputetëve opozitarë të dorëhequr dhe krijimit të vakancave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat për zëvendësimin e tyre.

“KQZ konfirmon vijimin e procedurave të mëtejshme në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Ligji i kërkon KQZ-së që të kontaktojë kandidatët e listave respektive, sipas radhës, dhe t’u kërkojë atyre plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, pa të cilin nuk mund të marrin vërtetimin e zgjedhjes”, tha zëdhënësja Drilona Hoxhaj.

Kandidatët në listat e partive opozitare, që do të dëshirojnë të pranojnë mandatin, kanë 10 ditë kohë për të depozituar formularin e dekriminalizimit.

“Kandidatët e listës shumemërore kanë afat 10 ditë për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit. Pas verifikimit dhe shqyrtimit nga Administrata e KQZ-së, zëvendësimet e vakancave të krijuara do të kalojnë në mbledhjet publike të KQZ-së”, tha më tej Hoxhaj.

Dy deputetë të opozitës, demokrati Murrizi dhe LSI-sti Lefter Koka, kanë deklaruar se nuk do ta djegin mandatin. Ndërsa demokratja Rudina Hajdari pritet t’u bashkohet atyre, pasi deklaroi se është konsultuar me partnerët ndërkombëtare.

Gjithashtu, nga listat e kandidatëve pritet të ketë kandidatë që nuk do të ndjekin linjën e partisë, por do të pranojnë të zëvendësojnë në Parlament deputetët e dorëhequr.

Top Channel