Në Gjykatën Kombëtare spanjolle në Madrid ka nisur procesi gjyqësor ndaj Sandro Rosell. Ish-presidenti i Barcelonës, bashkëshortija e tij dhe 4 persona të tjerë akuzohen për “pastrim parash” nga të drejtat televizive dhe ato të sponsorizimit në Brazil.

Prokurorët kanë kërkuar një dënim me 11 vite burg dhe një gjobë prej 59 milionë eurosh, me familjen Rosell që rezulton se i ka marrë paratë nga ish-presidenti i Federatës braziliane të Futbollit, Ricardo Teixeira.

Sandro Rosell, që është në qelitë e paraburgimit që në maj të vitit 2017, ka jetuar dhe punuar më parë në Brazil, ku vendosi edhe kontaktet për biznesin e tij. Në qendër të hetimeve të kryera për Rosell ka qenë një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2006 nga Teixeira, me një kompani me seli në Ishujt Kajman, për të drejtat televizive të 24 ndeshjeve miqësore të përfaqësueses braziliane.

Teixeira dhe familja Rosell përfituan nga kjo kontratë 15 milionë euro, nga të cilat 6.6 milionë shkuan për llogari të Rosell e bashkëshortes së tij, ndërsa 8.4 milionë shkuan për Teixeirën, me këtë të fundit që u vu edhe nën hetimin e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, për skandalin e korrupsionit në FIFA.

Po kështu, Rosell dyshohet se ka marrë në mënyrë të paligjshme edhe 5 milionë euro të tjera, si pjesë e kontratës së sponsorizimit të “Nike” me përfaqësuesen braziliane. Në vitin 2014, Rosell dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Barcelonës, pas problemeve të shfaqura me transferimin e Neymar nga Santos në “Camp Nou”. Mësohet se procesi gjyqësor ndaj Sandro Rosell në Spanjë pritet të zgjasë deri në fund të muajit mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA