Bluzat e bardha të Spitalit Rajonal të Durrësit kanë protestuar mëngjesin e sotëm kundër dhunës së ushtruar mbi kolegun e tyre në fundjavë, nga familjarë të dy pacientëve.

“Ngjarjet që po ndodhin çdo ditë nëpër spitale janë të dënueshme. Ne kërkojmë që të kemi mbrojtje, të sigurohemi për mbrojtje, sepse po ushtrohet dhunë çdo ditë nga qytetarët kundrejt mjekëve. Mjeku është një aset dhe duhet mbrojtur, ndaj po ngremë zërin që të mbrohemi, sepse bluzat e bardha nuk preken as në kohë lufte. Ne jemi për të shërbyer dhe jo për t’u dhunuar”, tha Anton Ndoj, mjek kirurg.

Ata ndihen të dhunuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në shërbim të pacientëve. Për këtë ata kërkojnë që shërbimin e sigurisë brenda spitaleve ta ofrojë Policia e Shtetit dhe jo më policia private, e cila ka dështuar në kryerjen e këtij shërbimi.

“Jemi mbledhur për t’u solidarizuar me kolegun tonë që u dhunua në detyrë. Kërkojmë të rriten masat e sigurisë në spital, sidomos në Shërbimin e Urgjencës. Do të donim që të ishte e pranishme Policia e Shtetit 24 orë, në mënyrë që ne ta kryejmë të qetë detyrën”, tha Gjergj Qerimi, shef i Urgjencës.

Një tjetër mjek i Urgjencës, Arif Vezi tregoi rastet e dhunës mbi të dhe kolegë të tij, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes nga Policia e Shtetit.

Top Channel