Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur mesditën e kësaj të hëne aleatët në një takim që po zhvillohet në selinë blu, për të koordinuar aksionin opozitar, i cili siç është paralajmëruar do të zhvillohet përmes protestave çdo të enjte para Kuvendit të Shqipërisë.

Në takimin e këtyre çasteve janë të pranishëm Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili nga LSI-ja, Agron Duka i Partisë Agrare-Ambientaliste, Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Dashamir Shehi i LZHK-së.

Ndërkohë, po në selinë e Partisë Demokratike është planifikuar një mbledhje e kryetarëve të degëve të Tiranës që nën drejtimin e Lulzim Bashës do të mbahet pasditen e kësaj të hëne në orën 17:00, sipas burimeve nga selia blu.

Mbledhja do të zhvillohet për të diskutuar për protestat dhe përgatitjet për atë të radhës, këtë të enjte përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas asaj që bëhet e ditur, Tirana do të mbajë peshën kryesore të protestave të përjaveshme të paralajmëruara nga kryetari i PD-së, pas dorëzimit të mandateve të disa prej deputetëve të opozitës, pikërisht përpara Parlamentit që akuzojnë se ka dalë nga votat e blera.

Basha pritet të nisë gjithashtu një tur tjetër takimesh, që do të jetë i përqëndruar këtë herë në Tiranë.

Top Channel