Objektivi për t’u renditur në zonën Champions, po vjen duke u venitur për Lazion, ndërsa gara është vërtetë e fortë, ndaj bardhekaltrit do të përqendrohen maksimalisht në Kupën e Italisë, ku nesër në mbrëmje do të luajnë sfidën e parë gjysmëfinale ndaj Milanit.

Ky takim vjen në një moment tejet delikat për bardhekaltrit, të cilët sapo janë eliminuar nga Liga e Europës, përballen me një emergjencë në repartin e mbrojtjes dhe për më tepër, duhet të mendojnë edhe për derbin e fundjavës kundër Romës.

“Skuadra ka punuar mirë, por ky takim vjen në një moment delikat për ne, pasi po përballemi me mungesa të shumta, veçanërisht në repartin e mbrojtjes. Në fundjavë kemi derbin, që natyrisht është një ndeshje shumë e rëndësishme, por deri në përfundim të sfidës me Milanin, nuk dua të mendojmë për Romën”, deklaroi Inzaghi.

Ciro Immobile është njeriu gol i Lazios, ndërsa Krzysztof Piatek ka “marrë për dore” Milanin në këto javë, duke gjetur rrjetën 7 herë në 6 takime, ndaj nesër në “Olimpico” do të jetë edhe një sfidë mes tyre.

“Janë dy sulmues të mëdhenj, që e njohin mirë punën e tyre dhe golin. Ciro luan prej kohësh te ne dhe ka treguar se është i aftë të bëjë gjëra të mëdha, ndërsa Piatek është përfshirë shumë mirë në skuadrën e tij të re, megjithatë unë dua të përqendrohem te sfida Lazio-Milan dhe ta analizoj kundërshtarin në total, jo mbi individë të caktuar”, tha trajneri i Lazios.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA