Interi la dy pikë në transfertën ndaj Fiorentinës në “Artemio Franchi”, ndonëse ishte në avantazh të dy golave, ndërsa VAR që i erdhi në ndihmë në dy momente, e ndëshkoi në minutat shtesë, ndonëse vendimi ishte vërtetë i dyshimtë dhe bëri që sfida të mbyllej mes polemikave.

Sfida nisi menjëherë me malore për Interin, që pa topin në rrjetën e Handanoviç që në sekondën e 21-të të takimit, kur pas një topi të gjatë në gjysmëfushën zikaltër, mbrojtja u kap në befasi dhe De Vrij devijoi në mënyrë të pafat në portën e tij.

Megjithatë reagimi i Interit ishte për t’u admiruar, pasi vetëm 5 minuta më vonë, ishte ish mesfushori i Fiorentinës, Matias Vecino, që riktheu baraspeshën, ndonëse preferoi të mos festojë për respekt të tifozërisë vjollcë.

Vetëm 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, ishte Mateo Politano, që bëri gjithçka mirë nga krahu i djathtë i sulmit, depërtoi në qendër dhe nga jashtë zone lëshoi një predhë, duke dërguar topin për herë të dytë në rrjetën e Lafont.

Pjesa e dytë nisi sërish mirë për Interin, pasi në minutën e 52-të, me ndihmën e VAR-it, arbitri akordoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol sulmuesi kroat, Ivan Perisiç.

Por sfida nuk kishte përfunduar, pasi Fiorentina nuk pajtohej kurrsesi me këtë rezultat dhe u hodh në sulm, duke gjetur golin e dytë me Muriel, vetëm pak minuta pasi i ishte anuluar një tjetër për faull në zonë, po të kolumbianit.

Dramatike ishin minutat shtesë, pasi në të 95-ën, arbitri vërshëlleu penallti për Fiorentinën, por ky vendim u kontestua nga zikaltrit. Pasi e pa mbi 10 herë në video, arbitri vendosi të konfirmojë penalltinë, ndonëse në pamje dukej vërtetë e dyshimtë.

Penalltia u ekzekutua nga Veretout, i cili mposhti kapitenin e ri të Interit, Handanoviç, dhe riktheu baraspeshën në rezultat, duke bërë që të dy skuadrat të ndajnë nga një pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA