Rikthehet dimri. Temperaturat ulen nën 0 gradë. Rrugët, të kalueshme

23/02/2019 15:03

Ditët e ngrohta me diell u kanë lënë vend reshjeve të dëborës këtë fundjavë.

Durrësi, mëngjesin e së shtunës është zgjuar me reshje bore. Ulja e temperaturave gjatë natës ka sjellë dhe borën e parë për këtë dimër në qytetin bregdetar.

“Na pëlqen të luajmë me dëborë”, thonë fëmijët.

Teksa shenjat e mbetura të flokëve të borës në Durrës kanë ngelur në gjethet e pemëve apo mbi çati, dëbora në Qarkun e Korçës ka arritur deri në 10 cm. Rrugët në pikat turistike të Dardhës dhe Voskopojës kalohen me zinxhirë. Me zinxhirë këshilohet të qarkullohet edhe në Qafën e Qarrit. Në pikën kufitare të Kapshticës ka patur reshje bore, por qarkullimi bëhet normalisht.

Edhe Përmeti në orët e para të mëngjesit është zbardhur nga reshjet e borës.

Dëborë ka rënë edhe në Qafën e Llogorasë, por reshjet kanë qenë të dobëta dhe qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.

Edhe Berati është zgjuar nga flokët e borës. Probleme nga reshjet ka patur në disa zona rurale të Skraparit si dhe disa fshatra të njësisë administrative Sinje në Berat. Sipas autoriteteve rrugore, rrugët që kalohen me zinxhirë janë Qafë-Dëvri, Çepan dhe Paftal e Velçan, ndërsa po punohet për të evituar rrëshqitjet e automjeteve. Në disa fshatra te Skraparit ka patur shkëputje për disa orë të energjisë.

Reshjet e dëborës në Bulqizë janë shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta deri në minus 8 gradë celsius. Situata ka nisur të vështirësohet në shumë rrugë nacionale dhe ata rurale për shkak të erës së fortë dhe reshjeve të dëborës. Per drejtuesit e automjeteve situata eshte e veshtire ne aksin nacional nacional Qafe e Bualli-Fushe Bulqize ne vendin e quajtur Guret e Skenderbeut ,ku per shkak te eres se forte dhe debores kalimi eshte i veshtire. Si pasojë e motit të keq disa zona kanë pasur vështirësi me furnizimin me energji, pasi shtyllat elektrike kanë rënë duke krijuar shkëputje për disa orë të dritave. Kjo situatë pritet të vijojë deri ditën e hënë, dhe më pas do të ketë një rritje të ndjeshme sërish të temperaturave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA